Dokument i deklasifikuar: CIA i trembej konfliktit Serbi-Shqipëri

14

Në vitin 1993, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i trembeshin një përplasje ushtarake mes Shqipërisë dhe Serbisë.

Në një dokument të deklasifikuar, siç shkruan portali Sot, për këtë vit theksohet se për shkak të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës, në konflikt mund të përfshihej dhe Tirana.

Mirëpo në dokument jepet një pasqyrë e kapaciteteve ushtarake të të dyja vendeve.

Sipas CIA, më 1993 Shqipëria dhe Serbia nuk mundej që të krahasoheshin.

Serbet kishin një ushtri moderne dhe shumë herë më të përparuar.

Sipas dokumentit, Shqipëria në atë kohë kishte ende materiale ushtarake që në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe të Kinës komuniste.

Bëhet fjalë për armatime të trashëguara nga regjimi komunist, por që kishin ardhur gjatë marrëdhënieve me Kinën dhe me Rusinë.

Për këtë arsye, amerikanët parashikonin që nëse do kishte një konflikt ushtarak, vendi ynë do pësonte disfatë të fortë. Nga ana tjetër, që në atë kohë theksohej se aleati më besnik i shqiptarëve ishte Turqia.

Memorandum inteligjence

Zyra e analizës evropiane

5 janar 1993

Ushtria e Shqipërisë nuk mund të matet me forcat serbe që janë moderne e të pajisura mirë, në rast se konflikti i Kosovës do përhapej në Shqipëri. Forcat shqiptare kanë armë të vjetra, të falura nga sovjetikët dhe kinezët, pa municione dhe pa stërvitje apo transport, që kërkohet në operacione intensive luftimi.

Mungesa e fondeve e ka penguar Shqipërinë të modernizohet, por kohët e fundit ministria e saj e Mbrojtjes po zgjeron numrin e kontakteve për ndihmë nga ushtritë e tjera në pajisjen dhe trajnimin e ushtrisë.

Zyrtarët e mbrojtjes kërkojnë të reduktojnë numrin e ushtarëve, për të eliminuar elementët komunistë, dhe për ta bërë ushtrinë një forcë më fleksibël dhe të ndryshueshme.

Ne besojmë se qeveria do të përpiqet të evitojë konfrontimin direkt me serbët nëse dhuna shpërthen në Kosovë, por disa përplasje mes forcave serbe e shqiptare do të jenë të paevitueshme.

Tirana, sigurisht që do të ndihmojë shqiptarët e Kosovës me armë të lehta dhe furnizime, dhe do të kthehet në një pikë kalimi të vullnetarëve, armëve e furnizimeve nga vendet e tjera.

Ndihma e tyre për kosovarët do të çojë me siguri në hakmarrje nga Serbia kundër bazave shqiptare, duke kërkuar të përfshijë Shqipërinë në konflikt.

Megjithëse Shqipëria do të kërkojë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar, kjo do të vijë kryesisht nga Turqia.

Ankaraja ka trajnuar tashmë disa oficerë shqiptarë dhe ka premtuar më shumë asistencë nëse Serbia pushton Shqipërinë, sipas atasheut amerikan të mbrojtjes atje.

Tirana është shumë e shqetësuar se konflikti i Kosovës mund të kthehet në një luftë në Shqipëri.

Ushtria ka urdhëruar një mobilizim të pjesshëm në Veri të vendit në muajin maj, dhe në qershor ka stacionuar atje disa njësi këmbësorie dhe artilerie më afër kufirit.

Në tetor, ushtria vuri në gjendje alarmi dy divizionet në kufi me Kosovën dhe zëvendës-ministri i Mbrojtjes u takua me këshillat e mbrojtjes për të diskutuar nivelet e gatishmërisë.

Forcat shqiptare

Forcat e armatosura shqiptare kanë rreth 65 000 trupa dhe Ministria e Mbrojtjes ka plane mobilizimi të rreth 400.000 në rast krize.

Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes pretendojnë se secili nga 21 divizionet e forcave tokësore mund të arrijë në 20.000 trupa.

Zyrtarë ushtarakë thonë se mund të mobilizojnë 70 për qind të forcave të tyre brenda 24 orëve.

Sipas opinionit tonë, forcat e armatosura shqiptare nuk kanë pajisjet, trajnimin dhe aftësinë për krijimin e një force të tillë dhe komandat e tyre mendohen të afta vetëm për një mbrojtje të kufizuar kufitare ndaj inkursioneve të vogla.

Forcat tokësore

21 divizionet me mungesa në njerëz, stërvitje e pajisje kanë rreth 58.000 trupa në kohë paqeje. Aktualisht, tre divizione me rreth 6600 trupa janë të vendosur në kufi me Kosovën.

Forcat ajrore dhe ato të mbrojtjes

Forcat ajrore dhe të mbrojtjes prej rreth 4000 njerëzish kanë rreth 90 ose më pak avionë, të viteve 1950-60. Shqipëria nuk ka raketa moderne tokë-ajër.

Forcat detare

Forcat e saj detare prej rreth 3000 njerëzish është pak më shumë se një forcë e vogël sigurie për operacione anti-piraterie dhe interceptim të trafikantëve.

Flota ka disa barka patrullimi me armë automatike dhe silurë, si dhe disa mjete për vendosje minash apo spastrim minash.

Flota ka disa nëndetëse jashtë funksioni të lëna nga sovjetikët në vitin 1961.

Kufizimet buxhetore kanë bërë që ushtria të reduktojë shpenzimet e saj me më shumë se 11 për qind, në më pak se 8 për qind të buxhetit kombëtar në vitin 1993, gjë që ul më tej kapacitetet e kufizuara të luftimit pa mundësi pagesash të tjera për ministrinë përveç rrogave të personelit.

Armët tokësore të Shqipërisë, pajisjet e komunikimit, avionët dhe anijet, janë të gjitha prodhime sovjetike dhe kineze të kaluara date.

Kohët e fundit një gjeneral është ankuar se ushtria nuk merrte pajisje të reja nga jashtë prej 17 vjetësh.

Shumica e tankeve të saj kineze janë versione të modelit sovjetik T-54, dhe rreth 90 për qind e inventarit të avionëve janë MiG-17 apo Mig-19.

Nëndetëset shqiptare të epokës së naftës kufizohen vetëm në zhytje në rreth 10 metra, sipas atasheut të mbrojtjes.

Mirëmbajtja e mjeteve të saj është e dobët, dhe sipas atasheut ushtarak nuk ka pasur prej vitesh fonde për të blerë pjesë këmbimi. Stërvitja është ose inekzistente ose shumë e dobët. Forcat ajrore kanë një kohë vjetore fluturimi prej 15 orësh, pra 165 orë në vit në pak sesa pilotët e NATO. Njësitë e luftimit rrallë përdorin armët e tyre në stërvitje me zjarr dhe tanket raportohet se qëllojnë vetëm një herë në vit. Nuk kryhet kurrë stërvitje të përmasave të mëdha, dhe stërvitja e rezervistëve është kufizuar në shtatë ditë në dy vjet.

Mjerimi i ushtrisë

Forcat e armatosura kanë mangësi parësore në furnizimet me karburant, mjekime e veshje. Disa garnizone mbjellin dhe rrisin vetë perimet e tyre për ushqimin e ushtarëve. Këtë vit, Ministria e Mbrojtjes tha se Shqipëria mirëpriste uniforma, këpucë e pajisje spitalore nga Perëndimi.

Komanda dhe kontrolli mbështetet në pajisje të vjetra sovjetike komunikim. Forcat tokësore kontrollohen më shumë në pjesën jugore prej kërcënimit të Greqisë, dhe jo në Veri pranë Kosovës. Zinxhiri i komandës komplikohet prej raportimit të të gjithë reparteve direkt te Ministria e Mbrojtjes, sipas atasheut amerikan të ushtrisë. Tirana nuk ka shpresa për modernizim të ushtrisë së saj pa ndihmë nga vendet e tjera, dhe për këtë zyrtarët po zgjerojnë kontaktet e tyre me vendet e Perëndimit. Shqipëria do të dërgojë oficerë për studim në Gjermani, Itali, Turqi, Austri, Greqi dhe Shtetet e Bashkuara, ashtu si edhe në ish-shtete sovjetike si Polonia, Hungaria e Bullgaria, për të kërkuar mbështetje në pajisje. Rezultatet e fushatës së asistencës kanë qenë modeste, por Shqipëria ka marrë rreth 100 mjete transporti ushtarak nga Gjermania dhe gjithashtu disa hua, ushqime dhe veshje nga Turqia.

Kapacitetet e forcës

Ushtria mund të mobilizojë mjaftueshëm trupa për t’u përballur me përplasje të vogla, por nuk mund të përballojë një inkursion serioz serb me armë moderne. Mangësitë në transport dhe rrjeti i dobët rrugor e hekurudhor pengojnë zhvendosjen e njësive drejt kufirit me Kosovën. Por gjithsesi, Shqipëria mund të përmbajë një sulm të kufizuar serb në kufi, ku dhe terreni i vështirë favorizon mbrojtësit. Me thirrjen e rreth 50 000 rezervistëve që jetojnë në afërsi të kufirit, ushtria mund të niste përdorimin e taktikave të luftës guerile për t’iu kundërvënë serbëve. Megjithëse qeveria do të vihet nën presion të fortë të brendshëm për të vepruar në ndihmë të kosovarëve, ne nuk besojmë se Tirana do të konsiderojë përdorimin e forcës si një opsion praktik për mbrojtjen e shqiptarëve. Forca ajrore shqiptare nuk mund të matet me atë të fqinjëve të saj serbë. Pa mbrojtjen ajrore, forcat e terrenit do të ishin të pashpresa kundrejt rreth 260 avionëve serbë relativisht modernë dhe mjete të blinduara me të cilat mund të përballen.

Njësitë detare shqiptare janë ndoshta të afta vetëm për vendosjen e minave detare apo disa sulmeve sporadike në portin e afërt serb Bar, në Malin e Zi, por këto sulme do të ishin të kushtueshme dhe do të sillnin me siguri kundërveprimin serb. /sot/