Në Podujevë u shënua dita fushore e specit(video)

110

 

 

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, z.Nezhmi Rudari me bashkëpunëtorë, mori pjesë në aktivitetin “Dita Fushore  e Specit”, i cili u organizua nga programi i USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale (AGRO) dhe kompania “Albini” në Sfeçël të Podujevës.

 

Pjesmarrës tjerë në këtë manifestim, përveç nënkryetarit Rudari, ishin edhe u.d i zëvendësdrejtorit të USAID-it, z. Paul Vaca, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural, z.Avni Fetahu dhe përfaqësues të tjerë të USAID-it dhe fermerë nga fshati Sfeçël.

Në emër të kryetarit të komunës së Podujevës z.Agim Veliu të pranishmit i përshëndeti nënkryetari Rudari, i cili u shpreh i lumtur që po merr pjesë në një aktivitet ku promovohet suksesi i fermerëve të fshatit Sfeçël.

 

“Komuna e Podujevës do të vazhdojë t’i përkrahë dhe subvencionojë fermerët llapjanë, sepse përkrahja e bujqësisë është përkrahje e punësimit të qytetarëve tanë dhe rritje e zhvillimit ekonomik të komunës së Podujevës”, tha nënkryetari Rudari

 

Nënkryetari Rudari falënderoi USAID-in për përkrahjen e vazhdueshme që u ka dhënë fermerëve llapjanë dhe premtoi që në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), krahas “Ditës së Mjedrës” dhe “Ditës së Mjaltit”, në komunën e Podujevës do të shënohet edhe “Dita e Specit”.

 

Përfaqësuesi i USAID-it, z. Paul Vaca, tha se programi i USAID-it Zhvillimi Bujqësor dhe Mundësitë Rurale do të vazhdojë përkrahjen për fermerët llapjanë dhe bashkëpunimin me komunën e Podujevës.

“Falënderoj komunën për mbështetjen që po i jep sektorit të bujqësisë me subvencionimin e fermerëve, gjithashtu i falenderoj edhe për gatishmërinë e treguar për bashkepunim me ne, dhe si rezultat i sukseseve në sektorin e bujqësisë, fermerët e komunës së Podujevës do të jenë të parët në Kosovë që do të certifikohet me Standardin e Cilësisë së Produkteve Bujqësore “Global GAP”, tha Vaca

Pronari i kompanisë për grumbullimin dhe ruajtjen e perimev “Albini”, z.BekimVokrri tha se do të vazhdojë me avancimin e teknologjisë në kultivimin e specit, sepse falë ndihmes së USAID-it dhe përdorimit të kësaj teknologjie biznesi ynë ka shënuar dyfishim të produktit dhe cilësi të rendimentit.

Në fund të pranishmit kanë vizituar parcelat tradicionale dhe  parcelat e punuara me teknologji të re.