Veseli u premton të rinjve se brenda viti Qendra Protokollare në Gërmi do të jetë e tyre

16

Kryetari i Kuvendit të  Kosovës, Kadri Veseli, zhvilloi sot një vizitë në Qendrën Inovative të Kosovës, gjatë të cilës u takua me drejtues të kësaj qendre dhe u njoh me punën që bëhet nga të rinjtë në ambientet e saj.

Gjatë takimit me drejtorin ekzekutiv, Uranik Begu dhe anëtarët e Bordit të kësaj qendre, kryetari Veseli konfirmoi mbështetjen e pakursyer të Kuvendit të Kosovës për punën e jashtëzakonshme që bëhet në këtë qendër, të cilën, Veseli e konsideroi inkurajuese për shumë të rinj.

“Kam ardhur sot këtu, si kryetar i Kuvendit, që në kuadër të këtij sensibilizimi, të lansojmë çmimin për inovacion, të cilin do ta japë Kuvendi i Republikës së Kosovës. Nëpërmjet kësaj, dëshirojmë të përcjellim mesazhin për të rinjtë tanë, që të kyçen sa më shumë në ndërmarrësi, inovacion dhe kreativitet”, theksoi  Veseli.

Ai shtoi se Kuvendi do të bëjë çdo gjë që të mundshme që nëpërmjet punës së tij legjislative, t’i jep mundësi dhe përparësi promovimeve, të cilat kanë të bëjnë me inovacionin, si një parakusht për zhvillim të hovshëm ekonomik.

Në funksion të kësaj, kreu i Kuvendit përsëriti qëndrimin e tij që brenda këtij viti, Qendra Protokolare në Gërmi, të jepet në shfrytëzim të teknologjisë informative dhe inovacionit.

Kryetari i Kuvendit vlerësoi se rinia e Kosovës ka potenciale dhe kreativitet të bëjë punë të jashtëzakonshme dhe të arrijë rezultate të mëdha, por, si parakusht për këtë, Veseli konsideroi se ajo duhet ta ketë mundësinë t’i nënshtrohet trajnimeve të duhura, në mënyrë që të jetë adekuate me nevojat e tregut të punës./Telegrafi/