AUV lejon hapjen e tregjeve të kafshëve, vetëm për shitjen e kurbanëve

24

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë pas sëmundjes Gungore të gjedheve, ditë më parë ka marrë vendim për mbylljen e tregjeve, ku tregtohen gjedhet. Megjithatë, këto tri ditë AUV do të lejojë hapjen e tyre për të shitur delet të cilat theren për festën e Kurban Bajramit.

Në tregje do të lejohet të bëhet vetëm tregtimi, ndërsa, therja e kurbanëve do të bëhet në thertoret e lejuara nga AUV.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Valdet Gjinovci, ka thënë për KosovaPress se lejohet përdorimi i tregjeve për tregtim të deleve, qengjave, pasi që sëmundja e Gungore nuk i prek këtë kategori të kafshëve.

Megjithatë, edhe pse kanë mbetur edhe dy ditë nga festa e Kurban Bajramit, tregu i kafshëve në Komunë e Prishtinës, më saktësisht në Vranjevc vazhdon të jetë i mbyllur.

Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri i tha KosovaPress-it se ata do të zbatojnë vendimin të cilin e ka marrë AUV.

“Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës për shkak të sëmundjes së gjedheve ka marrë vendim që t’i mbyll tregjet e kafshëve, vendim të cilin ne duhet ta zbatojmë”, tha Tahiri.

Se a do të ketë kontrolle nëpër tregje, Gjinovci ka thënë se kjo është në kompetencat e komunave, pasi që është e pamundur që AUV të kontrollojë tregjet, e që për këtë ata kanë kërkuar nga autoritetet komunale që të ndërmarrin veprimet e nevojshme.