Nga janari deri në shtator, policia konfiskoi 845 armë

11

Policia e Kosovës në vazhdën e luftimit të dukurive negative dhe krijimin e një sigurie të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e vendit, ka arritur të konfiskojë në nëntë mujorin e parë të këtij viti 845 armë dhe rreth 10 mijë e 500 municion të ndryshëm.

Ndërkaq gjatë vitit 2015, sipas statistikave të policisë u konfiskuan gjithsejtë 1180 armë dhe 24 mijë e 119 municion, gjë e cila krahasuar me vitin 2014 ka shënuar rënie.

Gjatë vitit 2014 nga policia u konfiskuan 1318 armë dhe 37 mijë e 211 municione të ndryshme.

Përmes një njoftimi për media, policia ka bërë të ditur se të gjitha rastet e armë mbajtjeve pa leje, apo përdorimit të kundërligjshëm të tyre trajtohen në konsultim me prokuroret përkatës dhe pas kompletimit dërgohen në organe përkatëse të drejtësisë ku edhe merren vendimet qe parashihen me kod penal për vepra të caktuara.

“Rastet e armëmbajtjeve pa leje kryesisht hetohen me kryes të njohur dhe në çdo raste pas kompletimit të lëndës materializohet me fakte dhe dëshmi në konsultim me prokurorin ne raste te caktuara armët te cilat dyshohen se janë përdorur ne ndonjë vepër penale ato dërgohen për ekzaminim balistik dhe vazhdohet me procedura tjera deri ne procesin përfundimtar kur merret vendimi për shkatërrimin e tyre ne mënyrë te kontrolluar siç parashihet me procedura ligjore.

Sa i përket procesit të shkatërrimit të armëve ilegale të konfiskuara kryesish realizohet ne mënyrë të kontrolluar, konformë procedurave ligjore te percjellura prej vendimeve gjyqësore dhe atë duke u bazuar edhe në strategjinë e Kosovës për Kontrollin e Armëve dhe planit të veprimit”, thuhet në njoftim.

Policia ka theksuar se është e përkushtuar në ndërmarrjen e veprimeve konkrete rigoroze ndaj të gjithë atyre që bien ndesh me procedurat e parapara ligjore dhe cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë qoftë përmes mbajtjes së paligjshme, por edhe përdorimit të paligjshëm të armëve dhe municioneve të ndryshme./Telegrafi/