Kitaristi shqiptar, me kontratë muzikore edhe në Brazil

6

Kitaristi Astrit Stafai është një emër i njohur në muzikën shqiptare, me një karrierë disavjeçare në muzikë dhe me plot bashkëpunëtorë. Së fundmi ai ka shënuar një tjetër sukses.

Muzikanti ka treguar se një prej këngëve ku merr pjesë edhe ai, tanimë ka dalë në treg në platformat më të mira muzikore botërore, përfshirë Digital Stores, SoundCloud dhe Beatport.

“Bëhet fjalë për instrumentalin në bashkëpunim me Dark Beat, Dark Child, Toni Shortie dhe unë në kitarë. Ky është një lajm që më gëzon dhe ka shumë rëndësi për karrierën time”, ka thënë Stafai për KultPlus.

Kitaristi ka shtuar se po ashtu ka nisur një bashkëpunim të ri muzikor, një kontratë kjo e vlefshme për të, që rrjedh nga ky sukses me instrumentalin në fjalë.

“Kam nënshkruar kontratë me Totoyov Label nga Brazili, me bashkëpunëtorët e instrumentalit. Kjo nënkupton më shumë bashkëpunime me ta dhe instrumentali shkon në kompaninë e tyre muzikore. Falënderoj Tonie Shortie, Dark Beat dhe Totoyov Label për këtë mundësi dhe sukses tjetër”, ka thënë më tej.

Stafai deri më tani ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë të estradës shqiptare.