Ligji i ri mbi Trafikun Rrugor: Shoferi që grumbullon 9 pikë negative, i pezullohet patent shoferi

22

Aksidentet e shumta rrugore i kanë detyruar organet përkatëse që të merren me hartimin e masave të reja ligjore, si preventivë për ta ruajtur jetën e qytetarëve nëpër rrugët e Kosovës.

Që nga sot ka hyrë në fuqi ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, përmes të cilit ligj Ministria e Infrastrukturës (MI), ka përcaktuar rregullat e reja për shoferë, këmbësorë dhe për pjesëmarrësit tjerë në trafik, sistemin e pikëve negative, marrjen e përkohshme – përkatësisht anulimin e patentë shoferit, përdorimin e rripit të sigurisë sipas standardeve të Direktivave Evropiane, Kontrollimin Mobil të Rregullsisë Teknike të Automjetit, etj,

Por, pavarësisht angazhimit që të hartohet një ligj, përmes të cilit synohet që të ruhet jeta e qytetarëve të Kosovës dhe të lehtësohet trafiku rrugor, ky ligj sipas ekspertëve të kësaj fushe, është duke u ballafaquar me mungesë të punës të përbashkët paraprake dhe të koordinimit të mirëfilltë institucional, sidomos në fazën e përgatitjes dhe hartimit të tyre.

Eksperti i trafikut rrugor, Muhamed Krasniqi ka thënë për Telegrafin se do të duhej themeluar një grup i zgjeruar ekspertësh (komision) të pavarur, i udhëhequr nga Ministria e Infrastrukturës si sponzorizuese e ligjit.

“Ligji i ri është punuar për të përmirësuar dhe eliminuar mangësitë e ligjit paraprak për sigurinë në komunikacionin rrugor, rrjedhimisht për të fuqizuar sigurinë në rrugë. E mira e këtij ligji të paktën në titullin e vet ligjit është që përfundimisht largohet nga përdorimi termi ‘komunikacion’ dhe me të drejtë të futet në përdorim termi ‘trafik’. Qartësimi i termeve ndihmon në lënien sa më pak të hapësirës për hutim. Shpresoj se tash e tutje nuk do të hasim (në të shkruar dhe në të folur) fjalitë e tipit: ‘ndodhi një aksident komunikacioni dhe në vendin e ngjarjes doli policia e trafikut’ ose ‘rregullat e komunikacionit dhe shenjat e trafikut’ose ‘njësia e Policisë së trafikut kujdeset për mbarëvajtjen e komunikacionit’, etj”, ka theksuar ai.

Krasniqi ka shtuar se ligji i ri ka ende hapësirë për përmirësime dhe plotësime, duke shtuar se ka frikë se pas fillimit të implementimit të këtij ligji do të dalin në sipërfaqe zbrazëtirat dhe mungesa e harmonizimit të domosdoshme me ligjet tjera.

“Gjatë këtyre dy-tre ditëve janë prezent edhe reagimet për ngritje e dënimeve në trafik. Mbi këtë bazë, shuma e dënimit për kundërvajtje në trafik, në raport me standardin e jetës në Kosovë mund të jetë e lartë, por aspak në raport me jetën e njeriut. Jeta nuk ka çmim. Unë mendoj se bashkërisht duhet të zhvendosim fokusin te një tjetër dukuri, asaj te vështirësitë e respektimit të ligjit, sidomos për kategoritë e caktuara të ngasësve. Këto vështirësi mund të varirojnë prej mosbindjes se qytetarëve ndaj autoritetit policor, deri te shkelja e mundshme e ligjit nga ana e vet zyrtarëve policor, nëse ta zëmë kuptohet se kundërvajtësi (i dënuari) ka lidhje të ndryshme me zyrtarin policor dhe jo vetëm. Respektimi i ligjit gjithmonë është sfidë për ata pjesëmarrës në rrugë që pretendojnë që janë mbi ligjin. Ata me të vërtetë jo vetëm që mund të jenë shembulli më i keq në trafik, por vazhdimisht rrezikojnë sigurinë e të gjithë pjesëmarrësve në rrugë”, ka shtuar ai.

Por Ministria e Infrastrukturës ka dhënë përmbajtjen e këtij ligji, të cilën mund ta lexoni më poshtë:

– Parashihet “ZONA E SHKOLLËS’ për mbrojtjen e nxënëseve,
– Shqiptimi i pikëve negative parashihet: për tejkalim të shpejtësisë, hyrja në shenjën e dritës së kuqe në vendin ku trafiku rregullohet me semaforë, tejkalimi jo i rregullt, mos respektimi i shenjës apo urdhrit të personit të autorizuar, ngasja nën ndikim të alkoolit, etj.,
– Këmbësori gjatë kohës së pashmërisë së zvogëluar jashtë zonave të banuar duhet ta mbajë ndonjë mjet ose pajisje reflektuese apo burim drite, si: jelek reflektues, rroba reflektuese, bateri e të ngjashme. Gjatë kalimit të rrugës, të shiritit apo të shtegut të biçikletave ose të binarëve, këmbësorit nuk i lejohet përdorimi i telefonit mobil, shfrytëzimi i dëgjueseve në veshë apo i pajisjeve të tjera të ngjashme që mund ta hutojnë,
– Këmbësorit i lejohet ta kaloj rrugën jashtë vendkalimit të këmbësorëve, vetëm nëse nga vendi ku donë ta kaloj rrugën, vendkalimi është larg 50 metra brenda zonës urbane, përkatësisht 100 metra jashtë zonës urbane. Këmbësorit gjatë kalimit të rrugës nuk i lejohet ta pengoj lëvizjen e automjeteve,
– Përdorimi i rripit të sigurisë bëhet sipas udhëzimeve të prodhuesit, ndërsa nëse në automjet nuk gjendet ulësja e veçantë, fëmija duhet të jetë nën përkujdese të personit të moshës madhore,
– Si pajisjet shtesë e detyrueshme e automjetit është jeleku reflektues të cilin duhet ta bart shoferi në rast defektit apo ndonjë arsye tjerë kur gjendet në rrugë gjatë kohës me pashmëri të zvogëluar,
– Me qëllim të mbrojtjes së ambientit janë parapara rregullat e reja, përveç tjerash janë përcaktuar rastet kur duhet të fiket motori i automjetit, p.sh në tunel nëse automjeti ndalet më tepër se një minutë,
– Me qëllim të rritjes së sigurisë në trafikun rrugor dhe për mbrojtje të ambientit, kontrolli i rregullsisë teknike të mjetit mund të bëhet edhe në rrugë, përmes kontrollit teknik mobil,
– Sistemi i pikëve negative, nëse shoferi i grumbullon së paku 9 pikë negative i pezullohet patentë shoferi, pastaj nëse prapë shoferi i grumbullon së paku 9 pikë negative, i anulohet patentë shoferi dhe i njëjti pasi të kalojnë 2 vjet, ka të drejt t’i nënshtrohet provimi për patentë shofer si kandidat fillestar.
– Secila pikë negative vlen 2 vjet. Shoferit mund ti shqiptohen prej 1 deri 5 pikë përnjëherë varësisht nga pesha e kundërvajtjes. Pesë (5) pikë negative shihen për tejkalim të shpejtësisë dhe largimi i automjetit nga vendi i aksidentit.
– Të gjobat e parapara për kundërvajtje me këtë ligj, pjesëmarrësi në trafik i paguan vetëm 50 për qind e shumës së paraparë për atë dënim, nëse i paguan brenda tetë ditë nga data e shkaktimit të kundërvajtjes./Telegrafi/