Kryeprokurori Imer Beka pritet të denoncohet për ndërhyrje në rastin “Grabovci”

10

Kryeprokurori i Prishtinës ka gjasa të hetohet nga Zyra e Prokurorit Disiplinor për shkelje të kodit të etikës dhe sjellje të pahijshme. Ai pritet të raportohet zyrtarisht në Këshillin Prokurorial nga Hamdi Ibrahimi, kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës. Deklaratat lidhur me hetimet kundër Grabovcit, dhe padinë e hedhur poshtë për bllokim të përgjimeve, po cilësohen si shkelje nga ana e Bekës.

Kryetari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, Hamdi Ibrahimi ka paralajmëruar se do t’i bëjë shkresë zyrtare Këshillit Prokurorial për të hetuar ndërhyrjen e kryeprokurorit të Prishtinës, Imer Beka në pavarësinë e gjyqësorit.

Deklaratat e Bekës së Gjykata nuk është dashur ta hedhë poshtë kërkesën e Adem Grabovcit për ndalimin e përgjimeve nga Insajderi, Ibrahimi i ka cilësuar si ndërhyrje në sistem të drejtësisë.

Ndërhyrje të tilla janë të sanksionuara edhe me Kodin e Etikës, të cilat konsiderohen si sjellje e pahijshme dhe shkelje etike, që mund të rezultojnë me masa ndëshkuese deri në shkarkim.

Ibrahimi ka thënë se vendimi i Gjykatës Themelore për ta hedhur poshtë këtë kërkesë, mund të interpretohet vetëm nga Gjykata e Apelit dhe askush tjetër.

“Askush brenda sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, si individ, nuk ka të drejtë që të vë në pikëpyetje ligjshmërinë e vendimit të gjykatës”, ka thënë Ibrahimi për Insajerin.

“Çdokush që është i veshur me autorizime dhe kompetenca në fushën e drejtësisë (gjyqtar apo prokuror) i cili publikisht vë në dyshim ligjshmërinë e një vendimi të gjykatës, konsiderohet se drejtpërsëdrejti interferon apo tenton të interferojë në pavarësinë e gjyqtarit me rastin e marrjes së vendimit”, ka shtuar prerazi Ibrahimi.

Për këtë arsye, ai ka paralajmëruar shkresë zyrtare për ta njoftuar Këshillin Prokurorial të Kosovës për këto ndërhyrje.

“Është në kompetencën dhe obligimin e Këshillit Prokurorial të Republikës së Kosovës që të merret me vlerësimin se në sjelljet e një prokurori a ka tejkalime të autorizimeve dhe kompetencave dhe nëse ka, cilat janë pasojat dhe si duhet të procedohet më tutje”, ka thënë ai.

Kryeprokurori Beka: Prokuroria nuk duhet ta hetojë Adem Grabovcin (Video)Kryeprokurori Beka: Prokuroria nuk duhet ta hetojë Adem Grabovcin (Video)

Reagimi i Ibrahimit, ka ardhur pas intervistës së Imer Bekës të dhënë në emisionin Komitetit të Gazetës Express. Në këtë intervistë, Beka ka folur për padinë e Grabovcit dhe për hetimet penale që po zhvillohen ndaj tij. Qëndrimin e ka identik me atë të Grabovcit.

“Nëse një prokuror nuk sheh të arsyeshme me ngrit diçka penale, nuk e di qysh një prokuror tjetër mundet me ngritë. Unë këtë s’e kuptoj”, ka thënë Beka.

“Ata (Prokuroria Speciale v.j.) duhet me dhanë shpjegim jo unë, sepse unë nuk kam qasje në këto. Mirëpo unë si jurist dhe prokuror e kam vlerësu kështu”.

Ai thotë se gjykata nuk është dashur që të bie pre e presionit të publikut që kërkonte vazhdimin e publikimit të përgjimeve.

“Unë kam dëgjuar që është bërë një kërkesë për masë të përkohshme për ndalim. Mua më ka habitë pse gjykata e ka hedhë poshtë atë kërkesë, sepse masat e fshehta përdoren vetëm për raste penale, që i ka procedurë prokurori, gjyqtarët. Atë moment që kryhet ajo punë, ato nuk guxojnë të përdoren absolutisht për asnjë gjë tjetër”, ka thënë ai.

Muajin e kaluar, Gjykata Themelore e Prishtinës ka hedhur poshtë kërkesën e Adem Grabovcit për masë të përkohshme – ndalimin e publikimit të përgjimeve, me arsyetimin se nuk ka kurrfarë shkelje ligjore dhe se paditësi – Adem Grabovci, nuk ka ofruar asnjë provë se Insajderi ka shkelur privatësinë, apo të drejtat tjera kushtetuese.

Gjykata që ka dhënë këtë vendim drejtohet nga Hamdi Ibrahimi. Ai ka folur për këtë çështje.

“Opinioni tani e di, se z. Grabovci nëpërmes të përfaqësuesit të tij, avokatit Florent Latifaj ka ushtruar padi për kompenzim të dëmit jo material kundër të paditurve ‘Insajder’ SH.P.K, përkatësisht ndaj z. Vehbi Kajtazi dhe z. Parim Olluri”, ka thënë Ibrahimi.

Ka shtuar se Gjykata Themelore në Prishtinë, sikurse çdo gjykatë tjetër, ka për obligim që në çdo rast kur ka kërkesë për caktim të masës së sigurisë të veproi me urgjencë dhe kështu është vepruar edhe në rastin e padisë, përkatësisht kërkesës për caktim të masës së sigurisë të z. Grabovci.

“Me rastin e vendosjes gjykata ka gjetur se nuk ka bazë për caktimin e masës së sigurisë përkatësisht se nuk ka bazë ligjore për ndalim të publikimit të bisedave telefonike. Ky vendim i gjykatës së shkallës së parë ligjërisht mund të vlerësohet vetëm nga gjykata e shkallës së dytë”, ka thënë Ibrahimi. /Insajderi/