Komuna e Podujevës miratoi Buxhetin për vitin 2017

11

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt të cilën e kryesoi Mehmet Gashi- kryesues i Kuvendit, në të cilën ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës, Agim Veliu dhe drejtorët e drejtorive të Komunës.
Në mbledhjen e sotme është shqyrtuar Propozimi i Vendimit për Buxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2017 dhe parashikimet për vitet 2018 -2019 dhe propozimi i Rregullores për tatim në pronën e palujtshme për vitin 2017; propozimi i Vendimit për lejimin e mjeteve buxhetore për realizimin e bashkëfinancimit të projektit “Ngritja e përkujdesit shtëpiak dhe ambulantor (Home Care) në Komunën e Podujevës; Informatën e Drejtorisë së Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor 2016/17; anulimi i Vendimit Nr.0l-066-52462 dt.29.06.2016 për inicimin e procedurës, për ndërprerjen e aktivitetit të OJQ – Klubit Publik të Futbollit “Llapi” në Podujevë me qëllim të themelimit të klubit me organizim në formën e Shoqërisë Aksionare dhe Vendimit Nr.01-006-52807 dt.29.06.2016 për ngritjen e komisionit për zhvillimin e procedurave të shprehjes së interesit dhe propozimit të aksionarëve të Klubit të Futbollit “Llapi” në Podujevë
Në fillim të mbledhjes së sotme, këshilltari komunal nga radhët e LDK-së, Avni Ajeti, ka informoi Kuvendin se për arsye personale-familjare, ka pushuar përkohësisht çdo aktivitet politik, pra edhe në grupin e këshilltarëve të LDK-së, kështu që tash e tutje do të jete këshilltar i pavarur.
Me këtë rast kryetari i Komunës, Agim Veliu, e ka falënderuar këshilltarin Ajeti për angazhimin dhe kontributin e dhënë deri tash si anëtar i LDK-së dhe si këshilltar i grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend.
Lidhur me Projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2017 dhe parashikimet buxhetore për periudhën 2018-2019, raportoi Isuf Latifi, drejtor i Drejtorisë së Buxhetit dhe Financave.
“Ministria e Financave me Qarkoren 2017/02 ka përcaktuar kufijtë finalë të buxhetit për vitin 2017 dhe sipas kësaj Qarkoreje buxheti i Komunës sonë është 19.284.786 euro. Kjo strukturë buxhetore është e përbërë prej dy burimeve Grandi Qeveritar në shumën prej 17.436.986 euro dhe nga të hyrat vetanake në shumën prej 1.847.800 euro”, tha drejtori Latifi.
Më tej drejtori Latifi ka raportuar për ndarjen e buxhetit nëpër kategori ekonomike, duke thënë se shpenzimet totale për paga janë 11,631,746 euro, për mallra dhe shërbime 1,287,178 euro, për shpenzime komunale 339.355 euro, për subvencione 324.500 euro dhe shpenzimet për investime kapitale 5.472.479 euro.
“Shqetësim im i vetëm në këtë Projektbuxhet është planifikimi i të hyrave vetanake, ku Ministria e Financave ka caktuar kufi të hyrave prej 1,847. 800 euro, që mendoj se është një planifikim i mbivlerësuar dhe vështirë i arritshëm, por ne do të angazhohemi që kjo të realizohet aq sa është e mundur”, tha drejtori Latifi.
Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu, tha se Projektbuxheti për vitin 2017 është gjithëpërfshirës dhe përfshinë kërkesat e qytetarëve për investime.
Ndërsa, shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka kërkuar rritje të mjeteve buxhetore për disa kategori buxhetore dhe projekte. Ai bëri vërejtje në shpërndarjen e mjeteve buxhetore nëpër kode dhe projekte të caktuara.
Haki Rudari, shef i grupit të këshilltarëve të Vetëvendosjes, tha se në Projektbuxhetin për vitin 2017 është dashur t’i kushtohet më shumë rëndësi mirëqenies sociale dhe shëndetësore të qytetarëve, arsimit dhe kulturës.
Lidhur me Projektbuxhetin e vitit 2017 diskutuan dhe bënë sugjerime e vërejtje edhe këshilltarët Flakron Gashi (PDK) dhe Bahri Selimi (VV).
Në pyetjet e shtruara nga këshilltarët komunale lidhur me Projektbuxhetin kanë dhënë sqarime drejtorët e komunalë, Faik Muçiqi, Durim Salihu dhe Avni Fetahu.
Kryetari Agim Veliu tha se Projektbuxheti ka kaluar të gjitha procedurat e parapara me ligj dhe është projektuar në bazë të nevojave dhe kërkesave të qytetarëve të komunës sonë.
Kryetari ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuuar në hartimin e këtij Projektbuxheti, në radhë të parë drejtorinë e Buxhetit dhe Financave dhe drejtoritë e tjera.
“Në planifikimet buxhetore kanë kontribuar edhe qytetarët në debatet e organizuar me propozimet dhe kërkesat për realizimin e projekteve të ndryshme. Prandaj apeloj që ta votoni Projektbuxhetin e Komunës për vitin 2017”, tha kryetari Veliu, duke përmendur edhe kontributin e OSBE-së në organizimin e debateve.
Pas diskutimeve, Kuvendi miratoi Buxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2017 dhe parashikimet buxhetore 2018 – 2019.
Kuvendi në mbledhjen e sotme miratoi vendimin për lejimin e mjeteve buxhetore për realizimin e bashkëfinancimit të projektit “Ngritja e përkujdesit shtëpiak dhe ambulantor (Home Care ) në Komunën e Podujevës.
Kuvendi shqyrtoi dhe diskutoi për informatën e Drejtorisë së Arsimit për fillimin e vitit të ri shkollor 2016/17.
Kuvendi anuloi Vendimin Nr.0l-066-52462 dt.29.06.2016 për inicimin e procedurës, për ndërprerjen e aktivitetit të OJQ – Klubit Publik të Futbollit “Llapi” në Podujevë me qëllim të themelimit të klubit me organizim në formën e Shoqërisë Aksionare dhe Vendimin Nr.01-006-52807 dt.29.06.2016 për ngritjen e komisionit për zhvillimin e procedurave të shprehjes së interesit dhe propozimit të aksionarëve të Klubit të Futbollit “Llapi” në Podujevë.