Agim Veliu godet Lekajn: LDK nuk mund t’jua heq frikën nga Serbia

37

Pas një periudhe qetësie janë kthyer sërish akuzat ndërmjet zyrtarëve të LDK-së dhe AAK-së. Kësaj radhe sebep është bërë një deklarate e shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, i cili ka thënë se për sa kohë qe kjo Qeveri është në detyre, atëherë bosi i Kosovës, është kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq. Kjo deklaratë nuk është pritur aspak mirë në partinë e cila po udhëheq me Qeverinë.

Nënkryetari i  Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë për Indeksonline se nëse Lekaj e don aq shumë Vuçiqin, atëherë lë ta pranojë për bos të tij. Ai madje ka thënë se LDK nuk mund t’ua heq frikën atyre qe nga Serbia frikësohen ditën dhe natën.

“Ne moti e kemi definu këtë problematike. Kosova i ka institucionet e sajë e ka Kuvendin e zgjedhur nga populli me zgjedhje të lira. E ka Qeverinë, presidentin, i ka të gjitha institucionet e Kosovës, ndërsa ata qe nuk po mund largohen prej Serbisë e Vuciqit qe e kanë frikën ditën edhe natën nga ta, në frikën nuk mund të ua u heqim. Ata nëse donë lë ta pranojnë Vuciqin, por qytetarët e kanë shtetin e vet të definuar, simbolet dhe territorin, është popullata, Kushtetuta dhe gjitha institucionet e formuara dhe dala nga vota e lirë. Palit i koftë për hajrë dhe lë të bëjë çka të dojë më të”, ka thënë Veliu për Indeksonline.

Kryetari i Podujevës, thotë se me shtetet fqinjë në rastet kur ka çështje të padefinuara duhet t bisedohet ndërsa në punët e brendshme të Kosovës, Serbia nuk mund të përzihet.

Krerët më të lartë të LDK-së dhe AAK-së, tash e një kohë të gjatë kanë polemizuar për çështje të ndryshme. Madje vet kryeministri Mustafa, deklaratat e AAK-së i kishte vlerësuar si rriqrat e Malishevës./Indeksonline.