Përfundon takimi për telekomin në Bruksel, s’ka marrëveshje

17

Sot, pas pesë ditësh të takimeve intensive për çështjet e kodit telefonik në Bruksel, nuk është arritur ende marrëveshja për implementim, me gjithë përparimet e vogla në disa aspekte. Ministrja Tahiri deklaron se gjatë gjithë kësaj kohe delegacioni i Kosovës ka mbrojtur interesat e shtetit, ka mbrojtur marrëveshjen për telekom dhe planin aksional dhe kategorikisht ka qenë i vendosur të mos pranoj kërkesat e palës serbe që dalin jashtë marrëveshjes për telekomin. Siç është thënë edhe më përpara pala serbe duke e shkelur marrëveshjen ka kërkuar shtrirje të antenave të telekomit në të gjithë Kosovën dhe ka pasur tendenca për t’i uzurpuar asetet e telekomit të Kosovës.

Delegacioni i Kosovës i është përgjigjur palës serbe, se këto janë vija të kuqe të përcaktuara me marrëveshjen e telekomit, prandaj edhe nuk ka lejuar devijimin nga marrëveshja.

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja Tahiri kishte në përbërje edhe Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i znj. Tahiri, Gazmir Raci, këshilltar politik dhe koordinator politik i çështjes së telekomit, Kreshnik Gashi, koordinator teknik dhe kryetar i bordit të ARKEP, Ilir Imeri, shef i departamentit për komunikime elektronike në ARKEP, Rexhë Gjonbalaj, kryetar i bordit të Telekomit të Kosovës, Mehdi Latifaj, drejtor teknik i Telekomit të Kosovës, Gazmend Mejzini, kryeshef i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Zana Bejta, udhëheqëse e departamentit ligjor në IPKO dhe Haxhi Bajraktari nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel.