Perani e Bradashi bëhen me trafo të reja

32

Në Peranë dhe Bradash të Podujevës, KEDS ka shtrirë 7,000 metra rrjet të ri të tensionit të ulët dhe të lartë, sikurse ka vendosur tri trafo të reja. Ky investim ka sjellë buzëqeshjen te mbi 600 banorë të asaj ane.

Basri Fazliu, nga Perana e Podujevës tashmë mund t’i përdorë të gjitha pajisjet elektrike. Kjo, pasi KEDS ka shtrirë rrjetin e ri me shtylla betoni në tërë fshatin, sikurse ka vendosur dy trafo të reja.

“Nuk mund ta shihnim njani tjetrin natën në shtëpi. Po me doket se kam le për së dyti”, thotë Fazliu, ish- ushtar i TMK-së, që tashmë merret me ndërtimtari.

“Kemi pas problem edhe ujë me pi, nuk krynin punë as përforcuesit. Tashmë gjendja ka ndryshu komplet për të mirë”, shton Fazliu, teksa me familje po pastronte nga bishtajat kokrrat e pasulit që e kishte vjelë nga ara. Dy vëllezërit e tij ia miratojnë fjalët.

Në gjendje aspak të mirë ishte edhe rrjeti në lagjen e Hotëve në Bradash, pothuajse ngjitur me Peranën.

“Hallin më të madh e kishim se nuk mund t’i ujisnim as mjedrat. Kam 90 ari të mbjella me këtë kulturë bujqësore me të cilën e mbaj familjen. Tashmë jam shumë më i çliruar falë investimit të KEDS-it”, thotë Shaban Hoti, teksa po ndërtonte një mur me djalin e tij në oborrin e shtëpisë.

Hallin e mjedrave e kishte edhe kushëriri I tij, Afrimi, i cili ofrohet të shprehë mirënjohjen e tij.

“Po, për ne e rëndësishme ishte ujitja e mjedrave. Ky problem është zgjidhur. Tashmë po e presim edhe rrugën, edhe jeta jonë përnjëherë do të ndryshojë dukshëm për të mirë”, thotë Afrimi, teksa një buldozer po përgatiste fazën finale të rrugës para shtrimit me asfalt.

“Do të shtrohet të premten dhe mezi s’po presim”, shton ai. Rruga e re është shtirë përskaj rrjetit të ri të KEDS-it, përderisa në kodrën që gjendet në perëndim të lagjes shndriste struktura metalike e trafos së re nga dielli i pasdites.

Rrjeti i trashëguar nga koha kur Distribucioni ishte aset publik, nuk ishte në gjendje aspak të mirë. Për këtë KEDS kishte reaguar menjëherë, duke e ndërruar komplet dhe duke i vendosur tri trafo të reja në një hapësirë që nuk i tejkalon më tepër se 500m nga njëra tjetra.

Pos tyre, KEDS ka vendosur edhe 128 shtylla betoni të tensionit të ulët dhe 44 shtylla të tensionit të lartë, që kanë mundësuar shtrirjen e rreth 7,000 metrave rrjet në këto fshatra. Përfitues direkt janë rreth 150 konsumatorë apo mbi 600 banorë të asaj pjese.

Falë këtij investimi, banorët e kësaj pjese tashmë kanë shërbime kualitative, përderisa ka ndryshuar pamja e këtyre fshatrave në veri të Podujevës edhe estetikisht.

Ky nuk është projekti i vetëm në këtë komunë. Deri tash kanë përfunduar disa projekte ku përfitues direkt janë mijëra banorë të kësaj pjese.

Kjo paraqet vendosmërinë e KEDS-it që të ketë shërbime kualitative për të gjithë konsumatorët dhe të investojë në rrjet në të gjithë lokalitetet me rënie të tensionit