Agim Veliu: S’e kemi në plan ta lusim Listën Serbe që të kthehet në qeveri

20

Partia e cila po udhëheq me qeverinë e vendit, LDK nuk është shumë e shqetësuar me daljen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës. Në këtë parti thonë se kjo nuk do të pengojë punën e qeverisë në arritjen e objektivave.

Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i komunës se Podujevës, Agim Veliu thotë se nuk e kanë në plan me lutë Listën Serbe me u kthy në Institucioneve.

“Jo nuk e kemi plan me i lutë. Pse me i lutë. Ata i kanë vendet e tyre ato qe i takojnë, kështu qe nuk e kemi ndërmend me i lutë aman kthehuni. Nuk jemi fëmijë me u sjellë në këtë mënyre”, ka thënë Veliu për Indeksonline.

Për Veliun është e papranueshme ngrirja ose bojkotimi i institucioneve. Sipas tij, të gjithë duhet t’i respektojnë institucionet.

“Çfarëdo arsye qofshin ato për mua nuk është në rregull as ngrirja as bojkotimi, por as gjuaja me gaz e institucioneve. Institucionet për mu janë të shenjta dhe ato duhet respektuar. Duhet me ushtru atë pozicion qe ta ka dhënë populli nëpërmjet votës edhe me u sjell me përgjegjësi. Me i bojkotu institucionet dhe me i sulmu për mu është e papranueshme”, ka theksuar Veliu.

Kryetari i Podujevës thotë se Lista Serbe le t’i shqyrtojë vet pozicionet e saj. Ndërsa ka thënë se ligji i miratuar për gjigantin metalurgjik Trepça është në të mirë të qytetarëve të vendit. “Nuk është kiamet i madh. Ne vazhdojmë me punë. Qeveria vazhdon me punën e vet. Koalicioni vazhdon. Kjo nuk e pengon punën e Qeverisë”, ka shtuar Veliu.

Lista Serbe ka marrë vendim për të pushuar aktivitetin e saj në kuadër të qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës pas miratimit të Ligjit për Trepçën në seancën e se premtes.