Në fshatin Sallabanjë,ndërtohet një Banjë Termale (Video)

387

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka pritur sot një grup investitorësh gjerman të udhëhequr nga Christian Wiesenhutter – kryetar i Odës Ekonomike të Berlinit dhe kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Mustafë Abazi, me te cilët ka diskutuar për gjetjen e mundësive që afaristët gjermanë të investojnë në Podujevë. 

Në këtë takim kryetari Veliu prezantoi një profil të Komunës së Podujevës, i cili përmban informacione të rëndësishme, me qëllim që investuesit potencial gjermanë të kenë një pasqyrë të qartë mbi potencialet dhe orientimet strategjike zhvillimore të Komunës së Podujevës.

 

Kryetari Veliu i njoftoi mysafirët gjermanë me politikat që ka hartuar komuna në favor të zhvillimit ekonomik, duke përmendur Strategjinë për Zhvillim Ekonomik Lokal dhe Planin Zhvillimor Lokal.

 

Duke iu referuar orientimeve strategjike të Komunës së Podujevës, kryetari Veliu përmendi investimet në bujqësi, kryesisht në përkrahjen e kultivimit të mjedrës, investime të cilat tha se po ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal dhe në punësimin e qytetarëve të Podujevës.

 Kryetari Veliu prezantoi para afaristëve gjermanë kërkesën dhe nevojën e madhe që kanë kultivuesit e mjedrës në Podujevë për ngritjen e një qendre grumbulluese, e cila do te krijonte mundësitë për ruajtjen e mjedrës, që do të ndikonte edhe në stabilitetin e çmimit të kësaj kulture. 

Ndërsa, Christian Wesenhutter – kryetar i Odës Ekonomike të Berlinit, lavdëroi Komunën e Podujevës për hapat e ndërmarë në krijimin e mundësive dhe lehtësirave për të bërit biznes në këtë komunë. Ai shprehu zotimin e tij se institucioni që ai drejton do të angazhohet në orientimin e bizneseve gjermane për investime në Komunën e Podujevës.

 Kryetari i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Mustafë Abazi falënderoi kryetarin Veliu për mikpritjen dhe prezantoi idenë e biznesit që ai drejton, për investim të mbi 3 milionë eurove në ndërtimin banjës termike në fshatin Sallabajë të Podujevës, projekt ky që tashmë ka filluar të realizohet.

 Në takim ishin prezent edhe Mehmet Gashi – kryesues i Kuvendit, Nexhmi Rudari – nënkryetar i Komunës së Podujevës dhe Avni Fetahu-drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.