U miratua raporti financiar nëntëmujor i Komunës së Podujevës

9

Kuvendi i Komunës së Podujevës në mbledhjen e sotme ka miratuar raportin financiar për periudhën janar-shtator të vitit 2016 dhe ka miratuar vendime të tjera me interes për qytetarët.

Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal të Podujevës, të cilën e udhëhoqi  kryesuesi Mehmet Gashi, e ku ishin të pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive, është shqyrtuar raporti financiar i Komunës së Podujevës për periudhën janar – shtator 2016;  propozimi vendimit për nxjerrje në diskutim publik të Propozim Rregullores për procedurat e themelimit dhe funksionimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Komunën e Podujevës; propozimi i vendimit për nxjerrje në diskutim publik të Propozim Statutit të Teatrit të qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë.

Lidhur me raportin financiar për periudhën janar – shtator të këtij viti, raportoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

“Shpenzimet e buxhetit për këtë  periudhë kanë arritur shumën 11,319,127 euro, ose 61.3% e buxhetit të planifikuar”, the drejtori Latifi, i cili ka prezantuar shpenzimet sipas kategorive buxhetore.

“Shpenzimet janë në kuadër të planifikimit për këtë periudhë. Nëse bëjmë  një krahasim të shpenzimeve të kësaj periudhe me periudhën e njëjtë të vitit paraprak do të  vërejmë  një zvogëlim të shpenzimeve për 7.68 %. kjo është reflektuar te investimet kapitale”, tha drejtori Latifi.

Drejtori Latifi tha se arkëtimi i të hyrave vetanake komunale për periudhën janar-shtator 2016  janë 1,197,216 euro ose 70% e planit vjetor, krahasuar me periudhën e njëjtë  të vitit 2015 është për 41 % më shumë.

Këshilltari nga radhët e grupit parlamentar të LDK-së, Fidan Rekaliu, i dha mbështetje raportit financiar, duke e vlerësuar gjithëpërfshirjen dhe kualitetin e projekteve të realizuara.

Shefi i grupit të këshilltarëve nga PDK-ja, Rafet Llapashtica bëri vërejtje për përqindjen e ulët të mjeteve të shpenzuara në kategorinë buxhetor të investimeve kapitale duke potencuar se fundi i vitit mund të përmbyllet me suficit. Ai bëri vërejtje edhe për shpenzime të tepërta në disa kategori buxhetore.

Vërejtje raportit financiar i ka bërë edhe këshilltari nga Lëvizja Vetëvendosje, Bahri Selimi, duke kërkuar shpjegime për shpenzimet e bëra në disa kategori buxhetore. 

Lidhur me raportin financiar kanë diskutuar edhe këshilltarët Hasan Softolli (LDK), Haki Rudari (VV), Flakron Gashi dhe Lutfi Rexhepi (PDK).

Në pyetjet e shtruara dhe vërejtjet e bëra nga këshilltarët lidhur me raportin financiar kanë dhënë shpjegime drejtorët komunalë, Faik Muçiqi dhe Durim Salihu, të cilët thanë se projektet po realizohen sipas dinamikës së planifikuar.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, tha se në këtë mbledhje ka pritur që këshilltarët të përshëndesin vendimin për themelimin e Spitalit të Përgjithshëm në Podujevë. Më tej nënkryetari Rudari foli për shpenzimet buxhetore, realizimin e projekteve sipas planifikimeve dhe procedurat e tenderimit.

Pas diskutimeve, Kuvendi me shumicë votash miratoi raportin Financiar i Komunës së Podujevës për periudhën janar – shtator 2016.

Kuvendi gjithashtu miratoi vendimin për vënie në diskutim publik të Propozim Rregullores për procedurat e themelimit dhe funksionimit të Këshillit të Veprimit Rinor Lokal në Komunën e Podujevës .

U miratuar edhe vendimi për vënien në diskutim publik të Propozimi i Statutit të Teatrit të qytetit “Avdush Hasani” në Podujevë.