AFRIM ZHITIA DHE FAHRI FAZLIU NDEROHEN NË 27 VJETORIN E RËNIES

16

Bashkëveprimtarë, qytetarë dhe familjarë të dëshmorëve kanë nderuar sot dëshmorët Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu në 27 vjetorin e rënies për liri.

Në vendlindjet e dy dëshmorëve, në Llugë dhe Llaushë të Podujevës pranë varreve të të rënëve u tha se dy dëshmorët gjatë gjithë jetës së tyre kanë punuar për bashkimin e trojeve shqiptare.

Kryetari i Shoqatës “Lëvizja”, Xhevat Bislimi tha se populli shqiptar duhet të kursejë energjitë negative, që sipas tij po marrin përmasa armiqësie, ndërsa porositi që të gjithë të sillen dhe veprojnë ashtu siç ka bërë heroi Afrim Zhitia.

“Prandaj, përballë situatave që po kalon Republika e  Kosovës dhe kombi shqiptar, bëj thirrje edhe këtu siç do të bënte thirrje edhe Afrim Zhitia edhe të gjithë  heronjtë dhe dëshmorët e popullit tonë që të jemi unik sa i përket çështjes së Kosovës sa i përket marrëdhënies me Serbinë,  dhe sa i përket pavarësisë komplet të Kosovës nga Serbi”, tha Bislimi.

Bislimi tha se është e padrejtë që të rënët para luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë mbetur të përjashtuar nga ligji për vlerat e luftës.

Për të nderuar veprën e dëshmorëve Zhitia dhe Fazliu në fshatin Llugë kishte ardhur nga Maqedonia edhe Fazli Veliu, ish-kryetari i Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Veliu e ka krahasuar Afrim Zhitinë me Qemal Stafën, njërin nga partizanët e parë të rënë në luftën antifashiste.

Një fjalë rasti në Llaushë ka mbajtur edhe bashkëveprimtari i të rënëve Brahim Mehmetaj.

Ai tha se është obligim i çdo qytetari që të respektojmë dhe të trasojnë rrugën e dëshmorëve të kombit.

“Jemi këtu sot  që me rastin e 27 vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve të kombit, heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, t’i nderojmë dhe t’i respektojmë në rrugën të cilën e nisën e vazhduan dhe e trasuan për lirinë e kombit të mbarë”, tha Mehmetaj.

Emri i dëshmorit Fahri Fazliu është përtërirë një vit e tre muaj pas rënies.

Në familjen Fazliu tashmë është Fahriu i ri, i cili tha se emrin e xhaxhait të tij dëshmor e mban me krenari.

Por Fahri Fazliu i ri është shprehur i shqetësuar se statusi i dëshmorëve  të asaj gjenerate nuk po njihet nga institucionet e Kosovës.

“Statusi i dëshmorëve të kësaj gjenerate ende nuk po njihet nga institucionet e Kosovës dhe kërkojmë që t’iu njihet statusi i kësaj gjenerate si Afrimi, Fahriu e shumë dëshmorë të tjerë”, tha Fazliu.

Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu janë vrarë më 2 nëntor të vitit 1989 në një betejë të pabarabartë me policinë serbe në një bodrum të një banese në lagjen “Bregu i Diellit”.

Zhitia dhe Fazliu ishin veprimtarë të LPK-së dhe organizatorët kryesorë të demonstratave të asaj kohe.

Disa vjet më vonë në fushën e nderit bie dëshmor edhe i vëllai i Fahriut, Bahri Fazliu.

Për nder të veprës së tyre, shumë shkolla dhe rrugë janë emëruar me emrin e dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.

Me emrin e dëshmorit Zhitia është emëruar edhe rruga afër vendit ku kanë rënë dy heronjtë.