Nesër më së largu pritet arritja e marrëveshje për Telekomunikacionin

7

Ekziston mundësia që sot ose nesër të finalizohet dhe përfundohet marrëveshja me Prishtinën për Telekomunikacionin, ashtu siç është shkruar, e jo siç kanë dashur të tjerët.

Kështu ka thënë drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ai ka thënë se është duke u biseduar intensivisht rreth mënyrës së zbatimit të marrëveshjes së Telekomunikacionit nga viti 2013, marrëveshje e cila është konfirmuar më 2015, ndërsa ka shtuar se kjo marrëveshje do duhej mundësuar serbëve të Kosovës që të vazhdojnë të përdorin “numrin tonë telefonik normalisht dhe të papenguar”, në mënyrë që të mos ketë kurrfarë tarifash shtesë përveç atyre të trafikut lokal me qytetet e Kosovës.

“Edhe më tutje do të mund të thërrisni nga Beogradi, Mitrovicën dhe Prishtinën vetëm me prefiksin rajonal 028. Telekomi i Serbisë mund të funksionojë në Kosovë e Metohi i papenguar”, ka thënë Gjuriq për TV Pink, transmeton Koha.net.

Ai ka sqaruar se, nëse arrihet marrëveshja, në të do të theksohet qartë se prona e Telekomit serb të transferohet në “MTS DOO” në Kosovë, kompani simotër e Telekomit.

Gjuriq ka thënë po ashtu se nëse kompanitë shqiptare dëshirojnë të shfrytëzojnë ndonjë kod tjetër telefonik, “ai kod mund të merret në unionin e Telekomunikacionit si kod shtesë për Serbinë, si prefiks telefonik për një zonë gjeografike”.

“Një vend është bartës i sovranitetit dhe mund të ketë më shumë prefikse telefonike”, thotë Gjuriq.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës, më herët ka miratuar vendimin me të cilin udhëzohet Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare që të lëshojë autorizimin e përkohshëm dhe të kufizuar për operim të ndërmarrjes së re, Mobile Telephony of Serbia, “MTS” D.O.O.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë thënë se ky vendim do të hyjë në fuqi ditën që autoriteti ndërkombëtar i telekomunikimeve do t’i ndajë Republikës së Kosovës kodin telefonik. Pritet që Kosova të marrë kodin ndërkombëtar +383, raporton Koha.net.

Telefonia mobile në Kosovë “Vala” aktualisht e shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin (+381) të Serbisë.