KKSB e vlerësoi të qetë gjendjen e sigurisë në Podujevë

32

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në takimin e sotëm, e ka vlerësuar stabile dhe të qetë gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës dhe ka shqyrtuar informatën për projektet e realizuara që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e kryesuar nga kryetari i Komunës, Agim Veliu, ka analizuar gjendjen e sigurisë dhe ka shqyrtuar çështje të tjera me interes për sigurinë e qytetarëve të Komunës së Podujevës..

Lidhur me gjendjen e sigurisë ka raportuar Valbona Blakçori – togere në Stacionin Policor, e cila për periudhën raportuese tetor-nëntor gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.

Togerja Blakçori duke bërë krahasimin me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar tha se ka rënie të rasteve të ndryshme kriminale të raportuara në Polici.

Më tej ajo përmendi aktivitetet e policisë në qytet me qëllim të krijmit të qarkullimit të lirë për qytetarë si dhe aktivitetet nëpër disa shkolla në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit me qëllim të vetëdijësimit të nxënësve kundër lëndëve narkotike.

 Si një nga problemet me të cilat po përballen qytetarët e Komunës së Podujevës, togerja Blakçori përmendi rrezikun nga prania shumë e madhe e qenve endacakë.  Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësoi të qetë edhe përfaqësuesi i KFOR-it.

 Ndërsa, Faik Muçiqi, drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, informoi KKSB-në për projektet që ndikojnë në sigurinë e qytetarëve.

 Në këtë kontekst ai përmendi investimet e bëra në ndriçimin publik në disa rrugë të qytetit rregullimin e trotuareve në qytet dhe disa fshatra në një gjatësi rreth 17 km, zgjerimi i shtratit të lumenjve dhe ndërtimi i pesë urave dhe rregullimi i disa kalesave (ura familjare), si dhe rregullimi i shenjëzimit vertikal. 

Drejtori Muçiqi vlerësoi se të gjitha këto projekte infrastrukturore, përveç përmirësimit të kushteve të jetës, ndikojnë drejtpërdrejt edhe në sigurinë e qytetarëve.

 KKSB në takimin e sotëm vendosi edhe për ngritjen e  grupeve punuese për  përgatitjen e propozimit të Planit të punës së KKSB për vitin 20l7 dhe përgatitjen e Informatës për aktivitetet e KKSB-së në vitin 2016.

 Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Maloku, në emër të grupit punues, e informoi KKSB-në për Planin e veprimit komunal për implementimin e Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020.