Kuvendi i Komunës së Podujevës mbajti mbledhje të jashtëzakonshme

70

 

Kuvendi i Komunës së Podujevës, me kërkesën e grupit prej 12 këshilltarëve, ka mbajtur mbledhjen e jashtëzakonshme, lidhur me inicimin e procedurave për zëvendësimin e Xhevdet Beselicës nga pozita e këshilltarit të Kuvendit të Komunës.

 

Në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Podujevës, që është kryesuar Mehmet Gashi –Kryesues i Kuvendit, është debatuar për Propozimin e inicimit të procedurave për zëvendësimin e Xhevdet Beselicës nga pozita e këshilltarit të Kuvendit të Komunës.

Në emër të grupit të këshilltarëve të PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, iniciues për thirrjen e mbledhjes se jashtëzakonshme, Propozimin e inicimit të procedurave për zëvendësimin e Xhevdet Beselicës nga pozita e këshilltarit të Kuvendit të Komunës, e ka arsyetuar Shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica.

Këshilltari Llapashtica ka thënë se kanë iniciuar thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shkak se nuk kanë qenë të informuar zyrtarisht lidhur me mungesën e këshilltarit Beselica, për çka ka fajësuar kryesuesin e Kuvendit.

Kryesuesi i Kuvendit, Mehmet Gashi, ka hedhur poshtë pretendimet e këshilltarit Llapashtica duke thënë se këshilltari komunal Xhevdet Beselica nga “Grupi+” ka munguar me arsye dhe se për këtë kanë qenë të informuar këshilltarët e Kuvendit Komunal.

“Xhevdet Beselica nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e Kuvendit të mbajtur më 26 shtator 2016, ndërsa më 13 tetor 2016 në formë të shkruar, të protokolluar në mënyrë të rregullt, më ka njoftuar se për shkaqe shëndetësore do të udhëtojë në Zvicër, nuk do të ketë mundësi të merr pjesë në mbledhjen e Kuvendit të caktuar për 18 tetor 2016 dhe në bazë të kësaj ka kërkuar arsyetim për mospjesëmarrje në mbledhje.

Në mbledhjen e cekur, me rastin e konstatimit të pjesëmarrjes së këshilltarëve  përkatësisht kuorumit, ju kam njoftuar për paralajmërimin e z.Xhevdet Beselica dhe arsyet e mospjesëmarrjes së tij në mbledhjen përkatëse. Duke u bazuar në atë se askush prej këshilltarëve të Kuvendit nuk e ka paraqitur as vërejtjen më të vogël, e kam konsideruar si konstatim të Kuvendit se mospjesëmarrja e të përmendurit në mbledhjen cekur ka qenë me arsye”, tha kryesuesi Gashi.

Kryesuesi i Kuvendit tha se në bazë të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, ku përcaktohet se cilësia e këshilltarit të Kuvendit të Komunës, këshilltari komunal mund ta humb mandati nëse pa arsye nuk merr pjesë tre (3) muaj rresht në mbledhjet e Kuvendit të Komunës, gjë e cila nuk ka ndodhur në rastin e këshilltarit Beselica.

I pranishëm në mbledhje ishte edhe këshilltari Xhevdet Beselica nga “Grupi+”, i cili duke sqaruar mungesën e tij, tha se kishte njoftuar me shkrim kryesuesin e Kuvendit se do të udhëtojë jashtë vendit për trajtim shëndetësor. Prandaj, ai e konsideroi të panevojshme mbajtjen e kësaj mbledhje të jashtëzakonshme.

Lidhur me këtë çështje diskutuan edhe Fidan Rekaliu dhe Shaban Osmani nga LDK, Haki Rudari dhe Bahri Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, Flakron Gashi nga PDK, Kadri Avdiu nga “Grupi+”, Nexhat Llumnica nga AAK dhe Avni Ajeti i pavarur.