Debat pubublik për Planin lokal për menaxhimin e mbeturinave

27

Në Komunën e Podujevës është mbajtur debati publik lidhur me Propozim Planin lokal për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës për periudhën 2017 – 2022.Në debatin e mbajtur sot, ku ishin të pranishëm qytetarë dhe përfaqësues të kompanive për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave, është diskutuar për Propozimin e Planit lokal për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës për periudhën 2017 – 2022.

 

Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi, tha se gjatë procesit të hartimit të Planit lokal për menaxhimin e mbeturinave, grupi i punës nga Komuna e Podujevës, i përbërë nga Nënkryetari i Komunës, përfaqësuesve të KRM “Pastrimi” dhe Kompanisë “Natyra”, grupi i punës i ‘EcoDES Studio’ dhe ‘GIZ Kosovo’, përmes diskutimeve kanë zhvilluar një proces të analizës për të formësuar vizionin e planit.

 

Drejtori Muçiqi numëroi gjashtë objektivat e Planit për menaxhimin e mbeturinave, që janë:

Hartimi i kuadrit ligjor dhe rregullator lokal për menaxhimin e mbeturinave – Konsolidimi i strukturës brenda komunës për sistemin e menaxhimit të mbeturinave (deri në vitin 2017);

Konsolidimi i shërbimit në zonat ku ofrohet dhe zgjerimi i shërbimit në zonat ku aktualisht nuk ofrohet shërbim (në masën 70%) gjatë periudhës 2017 – 2019;

Nxitja e iniciativave për minimizimin e mbeturinave përmes stimulimit të grumbullimit të diferencuar dhe kompostimit. Minimizimi i mbeturinave urbane që shkojnë në deponi me 5% gjatë periudhës 2017 – 2022;

Rritja e nivelit të arkëtimeve nga tarifat në zonat ku ofrohet shërbimi me 20% gjatë periudhës 2017 – 2020;

Grumbullimi i diferencuar i fraksioneve të ndryshme të mbeturinave, duke evituar hedhjen e tyre në kontejnerët e mbeturinave komunale;

Eliminimi i deponive të egra të evidentuara në territorin e Komunës së Podujevës gjatë periudhës 2017 – 2020.

Lidhur me Planin lokal për menaxhimin e mbeturinave diskutuan edhe përfaqësues të kompanive që merren me grumbullimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës dhe pjesëmarrës të tjerë në debat.

 

Me vendimin e Kuvendit Komunal të Podujevës, më 28 dhjetor 2016, është nxjerr në diskutim publik Propozim Plani lokal për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Podujevës për periudhën 2017 – 2022. Ky dokument do të jetë në diskutim publik deri më 20 janar 2017.