Tahir Batatina nga Shqipëria tregon se çfarë synon sivjet me Llapin

25

Befasia e edicionit 2016/17 në Vala Super Ligën e Kosovës, KF Llapi është skuadra me më së shumti transferime gjatë mini-afatit të janarit.

Menaxheri i Llapit, Tahir Batatina mendon se skuadra e tij është e gatshme për fillimin e gjysmë sezonit të Super Ligës së Kosovës. Në një intervistë për “IndeksOnline”, Batatina tregon synimet e Llapit për sezonin e mbetur, që sigurisht nuk janë pak.

“Secila skuadër ka ambicie të veta. Nuk e kemi me çdo kusht me qenë kampion, synimi jonë është të jemi në mesin e katër skuadrave të para. Nuk e kemi ndërmend me fitua vetëm Kupën apo Ligën, jemi në garë për dy trofetë. Nuk e kemi me presion, nuk do të shkojmë në asnjë ndeshje me presion për ta fituar Kupën apo Ligën. Me rëndësi është se ekipi është solide kjo është me rëndësi për neve në skuadër”, ka thënë për IndeksOnline trajneri i Llapit.

Në pamundësi të stërviten në Kosovë për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe infrastrukturore, ekipi nga Llapi ka udhëtuar për në Shqipëri, aty ku sot e zhvillon një miqësore ndaj Kamzës.

“Në Shqipëri po kalojmë për mrekulli, sot do të udhëtojmë për ndeshjen miqësore ndaj kampionit të Ligës së Parë, FC Kamza. Pastaj i kemi angazhuar edhe katër miqësore të radhës. Me Dinamon, me Ferizajn nga Kosova. Në këto përballje do ta shohim se çfarë niveli jemi si skuadër, a janë përforcimet e qëlluara, pasi kemi mjaftë kohë deri në fillimin e Super Ligës”, shoti Batatina.

I pyetur se a do të ketë ende transferime, Batatina u përgjigj: “Sa i përket transferimeve Llapi ka lojtarë të mjaftueshëm, ka në mesin e vetë 30 lojtarë, kështu që nuk kemi nevojë për transferime. Me Lumbardh Salihun e kemi mbyll këtë afat”.

Vlen të përmendet se Llapi sezonin vjeshtor e ka mbyllur në pozitën e dytë me 36 pikë, si dhe është një prej skuadrave kualifikuese për Kupën e Kosovës./IndeksOnline/ Granit Tërstena/