Surroi akuza të reja ndaj Presidentit: Vrasjet e pasluftës u ndalën kur Thaçi mori pushtetin

43
Veton Surroi është rikthyer akuzave në drejtim të Hashim Thaçit duke thënë se vrasjet e pasluftës u ndalen tek atëherë kur Presidenti aktual mori pushtetin. Ka thënë se Shteti duhet të pastrohet nga kriminelët që e kanë kapur shtetin dhe ata që e administrojnë Kosovën si të ishte pronë e tyre.

“Shteti duhet të pastrohet nga ata kriminelë që e kapën shtetin pas pavarësisë dhe që nga atëherë e administrojnë si të ishte pronë e tyre”, ka thënë Surroi, për Gazetën gjermane, Neue Zürcher Zeitung.

Surroi për herë të parë drejton gishtin kah Hashim Thaçi për vrasjen e civilëve serbë dhe aktivistëve të LDK’së të eliminuar pasluftës.

“Është indikative se vrasjet u ndalën kur Thaçi mori pushtetin”, konstaton ish-Kryetari i Partisë ORA.

Surroi ka thënë se Thaçi është bërë partner konstruktiv i Bashkësisë Ndërkombëtare për shkak se mund të jetë njëri nga të akuzuarit kryesor të Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se pret që aktakuzat e Speciales ta shkundin skenën politike të Kosovës.

Edhe në një intervistë për gazetën e tij, Koha Ditore, e realizuar muaj më parë, ish-politikani Veton Surroi e kishte quajtur të padijshëm e primitiv Hashim Thaçin. Madje, kishte parashikuar arrestimin e tij nga Gjykata Speciale nëse aktakuza bazohen në të gjeturat e Prokurorit Williamson.

Kishte folur edhe për UÇK’në, duke thënë se disa prej udhëheqësve të luftës kishin kapur armët kundër Serbisë aq sa edhe kundër LDK’së.

Kishte gjykuar edhe votuesit e PDK’së, duke thënë se 200 mijë njerëz pajtohen se krimi është i pranueshëm.