DO TË NDËRTOHEN EDHE 30 SHTËPI NË LAGJEN E DËSHMORËVE NË PODUJEVË

29

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, kanë nënshkruar sot Memorandumin për vazhdimin e financimit të Projektit për ndërtimin e shtëpive sociale në Lagjen e Dëshmorëve, në fshatin Balloc të Podujevës.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, me të cilin kanë nënshkruar sot Memorandumin për vazhdimin e financimit të Projektit për ndërtimin e shtëpive sociale në Lagjen e Dëshmorëve, në fshatin Balloc.

Me memorandumin e nënshkruar për vazhdimin e ndërtimit të shtëpive për familjet e dëshmorëve dhe atyre me gjendje të rëndë sociale, të strehuara në kontejnerët e lagjes së Dëshmorëve në Balloc të Podujevës, në vlerë prej 285,489 euro, parashihet ndërtimi edhe i 30 shtëpive të reja në këtë lagje.

Me rastin e nënshkrimit të memorandumit, kryetari Veliu falënderoi ministrin Abrashi për gatishmërinë e treguar për vazhdimin e projektit për ndërtimin e shtëpive për familjet e pastreha.

“Zgjidhja e çështjes së banimit për familjet e strehuara në kontejnerë dhe atyre me gjendje të rëndë sociale vazhdon të jetë një nga prioritetet në politikat tona sociale. Deri tash në atë lagje kemi ndërtuar 60 shtëpi, kurse projekti i ndërtimit të shtëpive do të vazhdojë derisa të largohet edhe familja e fundit nga kontejnerët”, tha kryetari Veliu.

Edhe ministri Abrashi tha se nënshkrimi i memorandumit është vazhdimësi e realizimit të projektit në Lagjen e Dëshmorëve.

“Zotohem se do të vazhdojmë deri në finalizimin e projektit të ndërtimit të shtëpive për të gjitha familjet me gjendje të rëndë sociale, që janë banorë në kontejnerët e asaj lagjeje”, tha ministri Abrashi

Në bazë të memorandumit të nënshkruar, projekti i ndërtimit të shtëpive, në vlerë prej 285,489 euro, do të financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kurse Komuna e Podujevës ka siguruar parcelën e trojeve, infrastrukturën ligjore për ekzekutimin e projektit, harton projektin detaj për ndërtimin e shtëpive sipas standardeve dhe legjislacionit në fuqi dhe zhvillon procedurat e prokurimit në pajtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Me investimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe në bashkëpunim me Komunën e Podujevës deri tash në Lagjen e Dëshmorëve janë ndërtuar 60 shtëpi për familjet e dëshmorëve dhe atyre me gjendje të rëndë sociale e që ishin të strehuara në kontejnerët e lagjes.