AKSIDENTET ME FATALITET, SHQETËSUESE NË PODUJEVË

AKSIDENTET ME FATALITET, SHQETËSUESE NË PODUJEVË

32

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar Raportin financiar për vitin 2016 dhe disa vendime të tjera me interes për qytetarët.

Lidhur me pikën e parë të rendit të ditës, Komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, Bekim Bislimi, prezantoi një informatë për gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës.

Duke folur për gjendjen e sigurisë, kapiteni Bislimi tha se krahasuar me periudhën raportuese të vitit të kaluar, sivjet ka rënie të veprimtarive dhe rasteve të raportuara kriminale.

Bislimi përmendi si shqetësim rastet e aksidenteve me fatalitet dhe raste të incidenteve të ndryshme. Mirëpo, ai tha se Komuna e Podujevës prinë në mesin e të gjitha të komunave në Kosovës për gjendjen më të mirë të sigurisë.

Për gjendjen e sigurisë dhe masat që duhet të ndërmerren diskutuan edhe këshilltarët komunalë.

Raportin Financiar të Komunës së Podujevës për vitin 2016, para të pranishmëve e prezantoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, i cili tha se  buxheti i alokuar për vitin 2016 ka qenë 18,796,763 euro duke përfshirë edhe donacionet.

“Nga shuma totale e buxhetit janë shpenzuar 17, 984, 026 euro, ose 96.% e buxhetit, duke  përfshirë edhe donacionet. Nëse e krahasojmë me vitin paraprak shpenzimi i buxhetit është përafërsisht i njëjtë me një ngritje të vogël shprehur në përqindje”.

Në vazhdim të raportit janë të paraqitura shpenzimet sipas kategorive ekonomike: për paga dhe mëditje 11,516,460 euro, për mallra dhe shërbime 1, 219, 960 euro,  për shërbime komunale    324, 499 euro, për subvencione 427, 702 euro, për investime kapitale  4,495,405 euro. Nga donatorët  janë shpenzuar 271,489.00 euro , ose 76% e shumës së lejuar prej 355, 375 euro.

Drejtori Latifi tha se është realizuar një përqindje jo e kënaqshme e të hyrave vetanake prej 87%,

“Në realizmin e të hyrave nga tatimi në pronë, në fund të vitit kemi një realizim të mirë dhe një tejkalim të planit. Në këtë ngritje ka ndikuar Ligji për faljen e borxheve ku kanë përfituar 2, 422 tatimpagues të cilët kanë lidhur kontrate dhe kanë kryer obligimet sipas ligjit.

 

Edhe pse ky numër nuk ka qenë ai të cilin e kemi pritur, gëzon fakti se ligji është në fuqi deri më 1 shtator 2017. Prandaj ju bëj thirrje qytetarëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për shlyerje të borxheve në afatin e paraparë”, tha drejtori Latifi.

 

Shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu, ka përkrahur raportin financiar, duke thënë se ai në mënyrë të detajuar ka prezantuar projektet e realizuara dhe shpenzimet e buxhetit, sipas kategorive buxhetore.

 

Kritik ndaj raportit financiar ishte shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, duke thënë se PDK nuk do ta votojë këtë raport, sepse sipas tij, janë bërë shpenzime të paarsyeshme në disa kategori buxhetore.

 

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të VV-së, Haki Rudari, ka bërë vërejtje në raport, për mënyrën e planifikimit dhe shpenzimit të mjeteve në kategoritë buxhetore.

 

Për raportin financiar diskutuan edhe këshilltarët Kumrije Hoti (PDK) dhe Bahri Selimi (VV).

Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi me shumicë votash miratoi raportin financiar për vitin 2016.

Kuvendi gjithashtu, pas diskutimeve, me shumicë votash miratoi vendimin për mbështetje financiare të Këshillin e Veprimit Rinor Lokal në Podujevë.

Kuvendi debatoi edhe për propozimin e vendimit për miratim paraprak për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës, palujtshmërinë dhe objektin hotelier në fshatin  Orllan.

Lidhur me këtë çështje, këshilltari Haki Rudari i VV-së propozoi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për mbledhjen e ardhshme, meqë drejtori i Drejtorisë së Pronës Kadastrës dhe Gjeodezisë mungonte në mbledhje për shkak të udhëtimit jashtë vendit, por Kuvendi me shumicë votash vendosi që për këtë çështje të vendoset në mbledhjen e sotme.

Pas debateve, Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për miratim paraprak të dhënies në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së paluajtshme të Komunës, palujtshmërinë dhe objektin hotelier në fshatin  Orllan.

Kuvendi gjithashtu miratoi vendimin për plotësimin e një vendi të lirë në Komisionin për ndarjen e shtëpive në pronësi të Komunës në Lagjen e Dëshmorëve në fshatin Balloc.