Kosova synon Everestin

11

Alpinistët e Klubit Alpin Prishtina (KAP) do të tentojnë vitin e ardhshëm pushtimin e majës më të lartë në botë që ka lartësi mbidetare prej 8.845 metrave. Kjo ekspeditë do të jetë e para që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës që është i vetmi në Evropë që nuk e ka pushtuar Mount Everestin.

Për pushtimin e majës më të lartë botërore, Mount Everest, nuk mjaftojnë veç guximi e stërvitjet fizike. Është mision që shumë njerëzve u ka kushtuar me jetë, andaj elementi bazik për të marrë këtë rrugë është përgatitja psikike për t’u përballur me rrezikun dhe për ta tejkaluar atë. Për një sfidë të tillë janë bërë gati edhe alpinistët nga Kosova. Bëhet fjalë për ekspeditën e Klubit Alpin Prishtina që do të tentojë pushtimin e kësaj maje që ka një lartësi mbidetare prej 8.845 metrave. Kjo ekspeditë do të jetë e para që do ta përfaqësojë shtetin e Kosovës që është i vetmi në Evropë që nuk e ka pushtuar Mount Everestin. Po ashtu, ky
tentim për të pushtuar majën më të lartë në botë po bëhet edhe në nderim të veprës së Nënës Terezë.

Ekspedita do të përbëhet nga katër anëtarë plus një tjetër, i cili do të jetë rezervë, por do të përgatitet sikurse të jetë pjesë e ekspeditës që do të tentojë pushtimin e Mount Everestit. Këtë e ka bërë të ditur Nazmi Hasanramaj, i cili do t’i prijë ekspeditës gjatë pushtimit të Mount Everestit, që ka një lartësi mbidetare prej 8.845 metrave. Pjesë e ekspeditës janë edhe Qëndrim Sopi, Haki Hasanramaj dhe Arineta Mula që është femra e parë nga Kosova në këtë “aventurë” sa tërheqëse aq edhe të rrezikshme. Faktikisht, Mula do të jetë edhe femra e parë shqiptare në këtë tentim.

“Ideja e pushtimit të Everestit është ëndërr dhe projekt jetësor i alpinistëve të Klubit Alpin Prishtina, pra është iniciativë dhe platformë e nisur para disa vjetësh. Everest paraqet sfidë jetësore për çdo alpinist me përvojë në lartësi të mëdha mbidetare“, thotë Hasanramaj, duke shtuar se “rreziku dhe sfidat e Everestit nuk janë sfida e vetme që i rëndon alpinistët”.

Pushtimi i Everestit nga alpinistët e Kosovës si iniciativë është e para, ndonëse është biseduar shumë më herët nëpër komunitetin alpin të Kosovës. Por deri më tani nuk ka pasur ndonjë tentim për arsye të ndryshme, duke filluar nga mungesa e përvojës së duhur e deri të çmimet e larta për ta ndërmarrë këtë ekspeditë. Pajisjet për këtë pushtim janë të veçanta dhe shumë të shtrenjta, siç është edhe vetë ekspedita.

 

 

“Kushton shtrenjtë, por nuk është prej më të shtrenjtave. Personi i pestë është personi rezervë, i cili do t’i bashkohet ekspeditës nëse arrihet shuma e caktuar financiare, ose nëse ndonjëri nga anëtarët e ekspeditës pëson lëndim gjatë fazës përfundimtare të trajnimeve”, shton Hasanramaj që beson se do të gjejnë përkrahje të mjaftueshme financiare për këtë sfidë.

KAP ka hapur edhe fondin për përkrahje të ekspeditës në “GoFundMe”, ku secili mund ta jap kontributin e vet për ta mundësuar realizimin e saj.

Tre vjet përgatitje

Sipas Hasanramajt, të gjithë anëtarët e ekspeditës jo vetëm që janë të përgatitur mendërisht, por edhe janë të njoftuar gati para tri vjetësh. Në bazë të kësaj, viteve të fundit ekspedita është përgatitur duke u ngjitur nëpër maja të ndryshme të maleve nëpër Evropë dhe Afrikë.

“Ekspedita është e përbërë nga alpinistë që janë të përgatitur mendërisht për këtë sfidë, dhe janë të njoftuar qysh në fillim të vitit 2014. Majat që janë ngjitur në Evropë dhe Afrikë vitet e fundit, janë vazhdimësi e trajnimeve dhe përgatitjeve për Everest. Pra është biseduar dhe përgatitur shumë më herët’, thotë Hasanramaj. “Nëpër botë janë pushtuar disa maja, por nga to janë vetëm disa që lidhen me përgatitjen për Everest, dhe ato janë: Mount Blanc, Kilimanxharo, Matterhorn”

Ekspedita pritet të marrë rrugën për në Nepal në fund të muajit mars të vitit të ardhshëm kurse kthimin në Kosovë pritet ta bëjë në muajin qershor. Do të qëndrojnë atje për më shumë se dy muaj apo me saktësisht 67 ditë. Gjatë dy muajve do të bëhen përgatitjet në Mount Everest para se të tentohet “sulmi” siç e quajnë alpinistët në ditët e tjera të mbetura. Hasanramaj thotë se deri në shtatë mijë metra lartësi mbidetare, ekspedita e Kosovës është në rregull. Ai beson se 95% do të kenë sukses në këtë tentim dhe insiston se të gjithë do të kthehen “shëndosh e mirë”. Mbi shtatë mijë metra, nis rrezikshmëria për të gjithë që tentojnë pushtimin e Mount Everestit, pasi nga aty duhet të përdoren bombolat me oksigjen dhe të merret ushqimi. Këtu edhe fillon siç njihet “zona e vdekjes” për shkak se alpinistët mund edhe të ngrihen për shkak të acarit që mbretëron atje. Për shkak të ngricave dhe shpejtësisë së erës që shkon mbi 160 kilometra në orë, alpinistët në çdo moment janë të rrezikuar nga rrëshqitja dhe rënia gjatë ngjitjes.

“M.E. është maje e rrezikshme dhe ka vdekshmëri mjaft të lartë; ka faktorë të shumtë që e shkaktojnë vdekjen e alpinistëve (orteku i borës, akullit dhe shkëmbinjve; i ftohti ekstrem; mungesa e oksigjenit; ataku në zemër; edema cerebrale; edema pulmonare; molisja dhe dorëzimi fizik; ndërsa 30% të vdekjeve janë të panjohura). Përgatitja, përvoja, përkushtimi dhe fati janë faktorët që e bëjnë të mundur ngjitjen”, shpjegon Hasanramaj.

 

 

Pjesë e ekspeditës janë Nazmi Hasanramaj, Qëndrim Sopi, Haki Hasanramaj dhe Arineta Mula, që është femra e parë shqiptare në këtë “aventurë” sa tërheqëse aq edhe të rrezikshm

Rruga kah Nepali

Bazuar në të dhënat botërore, maja e Mount Everestit është pushtuar 6.871 herë nga 4.042 alpinistë të ndryshëm. Prej këtyre, 248 alpinistë kanë gjetur vdekjen. Tentimi i parë për pushtimin e Everesit është regjistruar në vitin 1921. Ndërsa, thuhet se zyrtarisht është pushtuar në vitin 1953. Edhe pse tash jemi në vitin 2016, nëpër male janë mbi 200 kufoma (trupa të ngrirë), ku disa prej tyre shërbejnë madje edhe si pika referimi apo shenja.

“Jemi të vetëdijshëm për çdo pasojë që mund të ndodhë atje, përfshirë edhe vdekjen, por kjo gjë mendohet dhe pranohet para nisjes; pra nuk diskutohet shumë gjatë tentimit për të arritur majën”, shton Hasanramaj.

Edhe pse ekzistojnë 18 rrugë të ndryshme për të ngjitur Everestin, vetëm dy prej tyre janë më të popullarizuarat: kurrizi juglindor nga Nepali dhe kurrizi verior nga Tibeti. Teknikisht rruga kah Nepali është më e lehtë dhe përdoret më së shumti nga alpinistët që synojnë pushtimin e Mount Everestit. Edhe ekspedita e Kosovës do ta përdor këtë rrugë.

“Ngjitja do të bëhet nga ana nepaleze, për shkak të shërbimeve dhe koordinimit më të mirë në mes ofruesve të shërbimeve dhe Federatës Nepaleze”, zbulon Hasanramaj, duke thënë se kanë parasysh të gjitha pasojat që mund t’i presin.

“Jemi të vetëdijshëm për çdo pasojë që mund të ndodhë atje, përfshirë edhe vdekjen, por kjo gjë mendohet dhe pranohet para nisjes; pra nuk diskutohet shumë gjatë tentimit për të arritur majën. Udhëzues dhe përcjellës nga Sherpat e Nepalit do jenë me ne deri në ditën e sulmit”.

Po ashtu, alpinistët kosovarë gjatë përgatitjeve për këtë pushtim, po ndihmohen edhe nga ekipi i Shqipërisë, i cili në vitin 2013 pushtoi Mount Everestin. Ata po i japin informata të rëndësishme, të cilat po i hyjnë shumë në punë ekspeditës së Klubit Alpin Prishtina.