Haradinaj: Serbisë duhet t’ia tregojmë vendin, si Kroacia

16

“Ne duhet t’ia tregojmë vendin armikut të përjetshëm – Serbisë, t’ia bëjmë ashtu sic ia ka bërë Kroacia”, ka thënë Hardinaj para qytetarëve të mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, para qytetarëve të mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ka thënë se Kosova duhet t’ia tregojë vendin Serbisë, sic ka bërë Kroacia.

Por ai ka kërkuar që edhe liderët e shtetit të hiqen nga ato pozita, pasi sipas tij, “na morën në qafë dhe na bënë horë”, njofton Klan Kosova.

“Nuk di si t’ua shpjegoj cfarë ndjenjë është të kesh përkrahje të këtillë. Kam thënë se ftesa ose ideja që unë të ekstradohem në Serbi është thirrje për luftë. Nuk jam tallur, as nuk kam bërë shaka, por e kam pasur përnjëmend. Në Serbi po udhëheqin po ata njerëz që më 1999 kanë dashur të na vrasin, me familje. Për këto arsye kam thënë që është shpallje lufte dhe se do t’ua bëjmë ‘ma zi’ se që ua kemi bërë atëherë. Nëse ata në Beograd kujtojnë se ne harrojmë shpejt, gabohen. Ne jemi popull liridashës, e duam paqen. Por nuk mundet të na nënshtrojë askush. Ne duhet t’ia tregojmë vendin armikut të përjetshëm – Serbisë, t’ia bëjmë ashtu sic ia ka bërë Kroacia. Jemi populli më i vjetër, jo vec në Ballkan. Ne nuk i kemi marrë kurrë askujt asgjë. Tash me të drejtë u themi që mjaft kanë marrë të tjerët prej nesh. Më nuk u japim. Duhet t’ua tregojmë vendin edhe të nënshtruarve tanë, se na morën në qafë, na bënë horë. Tash e dy vjet janë bllokuar, sepse nuk po mund të thonë se kanë gabuar. Ne jemi në tokën tonë. Pse duhet të lejojmë që të na sundojnë të tjerët? Edhe në Francë ua kam thënë që nuk jam qytetar serb, se më trajtonin si të tillë. Shqiptari kurrë nuk kthehet kur ka të drejtë. Jo se unë jam trim. Por sepse ne jemi në të drejtën tonë. Ai që na do ne e respektojmë. Ai që na ndihmon, ne e ndihmojmë. Por ai që na sulmon, le të mbrohet”.

Ramush Haradinaj është liruar nga drejtësia franceze të enjten në mëngjes, pas një procesi të stërzgjatur, që nga ndalimi i tij më 4 janar të këtij viti. /klankosova.tv