Kuvendi miratoi raportin financiar janar-mars 2017 – 03 maj 2017

2

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar raportin financiar për periudhën janar-mars 2017, Planin e veprimit për transparencë për vitin 2017 dhe vendime të tjera me interes të përgjithshëm
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhjen e të rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Mehmet Gashi, e ku ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive.
Pas miratimit të rendit të ditës, lidhur me pikën e parë, drejtori i Buxhetit dhe Financave, Isuf Latifi, prezantoi raportin financiar për periudhën janar – mars 2017 .
Drejtori Latifi tha se raporti paraqet një pasqyrë të detajuar të aktiviteteve financiare te zhvilluara gjatë periudhës raportuese.
“Shpenzimet e buxhetit për këtë periudhë kanë arritur shumën 3,246,969 euro. Prej tyre, për paga janë shpenzuar 2,870, 413 euro, mallra dhe shërbime 71,153 euro, shpenzimet komunale 61,359 euro, subvencione 44,011 euro dhe investime kapitale 200,033 euro”, tha drejtori Latifi.
Latifi tha se gjatë periudhës raportuese janë realizuar të hyra vetanake në vlerë prej 306,419 euro, kurse nga donatorët janë realizuar 2000 euro të hyra.
Në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, këshilltari Hasan Softolli ka vlerësuar se raporti financiar, duke thënë se ai në mënyrë të detajuar paraqet investimet dhe shpenzimet e bëra gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, ka bërë vërejtje lidhur me shpenzimet e telefonisë fikse dhe mobile, darka dhe dreka. Ai gjithashtu ka kërkuar raport lidhur me shpenzimet për mirëmbajtjen e automjeteve.
Ndërsa, në emër të grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Bahri Selimi, gjithashtu ka bërë vërejtje për shpenzimet në disa kategori buxhetore. Selimi gjithashtu ka adresuar kritika ndaj ekzekutivit për mungesën e realizimit të projekteve kapitale në tremujorin e parë të këtij viti.
Lidhur me raportin financiar diskutuan edhe këshilltarët Nexhat Llumnica i AAK-së, Haki Rudari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lutfi Rexhepi i PDK-së.
Sqarime për shpenzimet buxhetore dhe investimet kapitale në periudhën raportuese kanë dhënë drejtorët: Faik Muçiqi (DSHPMSH) dhe Avni Fetahu (DBPZHR), kurse drejtori i Administratës, Fatmir Gashi tha se në mbledhjen e ardhshme të Kuvendit do të paraqes raport të detajuar për shpenzimet lidhur me mirëmbajtjen e automjeteve.
Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi me shumicë votash miratoi raportin financiar për periudhën janar – mars 2017.
Në mbledhjen e sotme Kuvendi miratoi edhe Planin e veprimit për transparencë në Komunën e Podujevës për vitin 2017; Vendimin për dhënien në shfrytëzim afatshkurtër të pronës së palujtshme të Komunës në fshatin Lupç i Poshtëm.
Pas diskutimeve, Kuvendi me shumicë votash, miratoi edhe vendimin për dhënien e pronës së palujtshme të Komunës në shfrytëzim afatgjatë Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS).
Në mbledhjen e sotme Kuvendi votoi edhe për korrigjimin e gabimit teknik në Vendimin për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore nr.01-320-32374, datë 10 prill 2014.