Çerdhja publike në Podujevë merr emrin “Armela”

55
Çerdhja publike në Podujevë merr emrin “Armela”
Me një ceremoni solemne sot u përurua zyrtarisht riemërtimi i çerdhes publike në Podujevë, e cila mori emrin “Armela”, vajzës llapjanë që u vra vitin e kaluar në një sulm kriminal në Munih të Gjermanisë.

Në praninë e shumë qytetarëve, prindërve dhe edukatorëve të çerdhes publike në Podujevë, Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe prindërit e Armela Segashit, kanë bërë përurimin solemn të emërtimit të kësaj çerdheje me emrin “Armela”.

Me rastin e përurimit të emrit të ri të këtij institucioni parashkollor, kryetari Veliu tha se “kopshtin ku mbëltohet mirësia e qeshja, ku bulon rrita e lumturia në Podujevë, çerdhen publike ‘Drita’ sot e tutje e pagëzojmë ‘Armela’”.

“Sot ka ditëlindjen Armela, lindi më 16 maj 2002. Ajo vetëm këtë ditë ka të sajën, tjetra është kujtimi. Ajo ishte një fëmijë i mrekullueshëm siç këta fëmijë  të Institucionit  ‘Armela’, në vendin e prindërve të saj, në Podujevë.  Është ndjerë dhe e vlerë, njëherësh, që po e emërtojmë këtë institucion me emrin e një engjëlli, që u shua në moshën e pafajësisë nga dora vrastare e mortajës së këtij shekulli”, tha kryetari Veliu.

Kryetari Veliu, duke iu drejtuar prindërve të Armelës, tha se “Armelën, dashurinë e dhembjen e madhe, ju e ruani dhe e ndjeni sa jetën, siç e keni dhe e kultivoni mirënjohjen për vendin mikpritës, Gjermaninë. Mallin dhe krenarinë  me vendlindjen tuaj, Kosovën”.

Me këtë rast prindërit e Arnela Segashit shprehën mirënjohje të veçantë për iniciativën e  kryetarit Veliu për emërtimin e kësaj çerdheje me emrin e bijës së tyre.

“Ndjehemi të nderuar që një çerdhe fëmijësh do ta mbajë emrin e bijës tonë. Veçmas ndjehem të  emocionuar kur emërtimi po bëhet në ditëlindjen e Armelës”, tha Nazmije Segashi, e ëma e Armelës, duke premtuar se dhuratat që do t’i dedikoheshin bijës së tyre për ditëlindje tash e tutje do t’i dhurohen kësaj çerdheje.

Edhe drejtoresha e kësaj çerdheje, Taibe Nishevci, u shpreh e lumtur që ky institucion parashkollor tash e tutje do të mbajë emrin “Armela”.

Emërtimi i kësaj çerdheje me emrin “Armela” është bërë me iniciativën e kryetarit Veliu, në nderim të vajzës 14-vjeçare Armela Segashi, e cila vra në një sulm kriminal më 22 korrik 2016 në Munih të Gjermanisë.

Ceremoninë festive të organizuar me këtë rast e begatuan fëmijët e çerdhes “Armela” me një program artistik.