Gjykimi për Vrasjen pas Konfliktit për Shitblerjen e Kafshëve në Podujevë

148
Avokatët e Esat, Sedat e Fejard Llugaliut kërkuan hedhjen poshtë të aktakuzës në gjykimin për vrasjen e Fahri Bunjakut.

Në gjykimin e Esat, Sadat e Fejard Llugaliut për vrasjen e Fahri Bunjakut, pas një konflikti në Podujevë për shitblerje kafshësh, avokatët e të akuzuarve kërkuan hedhjen poshtë të aktakuzës.Gëzim Kollçaku, avokati i Sadat Llugaliut tha se aktakuza nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar se i mbrojturi i tij e ka kryer këtë vrasje.“Qëndroj në tërësi pranë kërkesës për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës me arsyetim se nuk ka  prova të mjaftueshme që mbështesin një dyshim të bazuar mirë se i pandehuri Sadat ka kryer këtë vrasje”, tha Kollçaku.Avokati e konsideroi konfuze pjesën e aktakuzës ku përshkruhen veprimet për të cilat ngarkohen të akuzuarit.“Në kërkesën tonë kemi paraqitur disa kundërthënie dhe fakte të cilat vërtetojnë se dispozitivi i kësaj aktakuze  është konfuz dhe  në kundërshtim me provat materiale që janë paraqitur”, tha Kollçaku.Aktakuzën dhe provat e saj i kundërshtoi edhe Naim Rudari, avokati i Fejard Llugaliut.Prokuroria Themelore në Prishtinë i akuzon Esat Llugaliun, Sadat Llugaliun dhe Fejard Llugaliun se së bashku kanë kryer veprat penale vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar i armëve, sepse me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Fahri Bunjaku për shkak të një konflikti të mëparshëm që kishin rreth biznesit – shitblerjes së kafshëve me shumicë, i kanë dalë në pritë dhe kanë shtënë në drejtim të tij.Sipas aktakuzës, Bunjaku duke tentuar të largohej nga vendi ku i kishin zënë pritë, në vetëmbrojtje plagosi Esat Llugaliun, ndërsa të pandehurit e tjerë Sadat dhe Fejard Llugaliu e ndoqën nga pas duke shtënë në drejtim të tij e pastaj duke e goditur me shkopinj druri.

Nga plagët e marra Bunjaku vdiq në QKUK, thuhet në aktakuzën e prokurorisë themelore.Avokatët në seancë kërkuan edhe kthimin e automjeteve të konfiskuara në natën kritike pasi sipas tyre të njëjtat janë ekzaminuar dhe këtij procesi nuk I shërbejnë më asgjë .Kjo kërkesë kjo u refuzua nga gjykata.Gjykata do të vendosë me shkrim rreth kërkesave të avokatëve për hedhje poshtë të aktakuzës, ndërsa të pakënaqurit me vendimin e gjykatës kanë të drejtë ankese deri pesë ditë pas marrjes së vendimit.

Në seancën e kaluar të këtij procesi gjyqësor ishte veçuar procedura ndaj Esat Llugaliut, pasi ai ka probleme shëndetësore.

Esat e Fejard Llugaliu e kanë pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.