Zgjerohet dhe rregullohet shtrati i lumit Llap në fshatin Lupç

22

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka vizituar sot fshatin Lupç i Poshtëm, ku ka përcjellë punimet që janë duke u realizuar në zgjerimin dhe rregullimin e shtratit të lumit Llap.

Në fshatin Lupç i Poshtëm të Podujevës është duke u realizuat projekti i zgjerimit dhe rregullimit të shtratit të Lumit Llap.

Për të përcjell nga afër punimet në realizimin e këtij projekti, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Faik Muçiqi, vizituan sot segmentin e lumit Llap në Lupç, ku është duke u kryer zgjerimi dhe rregullimi.

Me këtë rast kryetari Veliu tha se realizimi i këtij projekti bëhet në kuadër të investimeve kapitale në zgjerimin dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve.

“Krahas investimeve në ndërtimin e infrastrukturës, një nga prioritetet tona në investimet kapitale në sektorin e shërbimeve publike është edhe zgjerimi dhe rregullimi i shtretërve të lumenjve. Vetëm gjatë vitit të kaluar kemi zgjeruar dhe rregulluar rreth 20 km shtretër të lumenjve. Kjo ka ndikuar në eliminimin në masë të madhe të vërshimeve të zonave përgjatë rrjedhës së lumenjve”, tha kryetari Veliu,

Kryetari Veliu i falënderoi banorët e këtij fshati për bashkëpunimin që po tregojnë gjatë realizimit të këtij projekti..

Projekti për zgjerimin dhe rregullimin e shtratit të Lumit Llap në Lupç i Poshtëm përfshinë një gjatësi prej 3.7km. Atje tashmë është kryer pothuajse në tërësi faza e zgjerimit dhe ka mbetur të kryhet edhe rregullimi dhe vendosja e mureve mbrojtëse në disa zona të shtratit të lumit.

Në kuadër të projekteve të miratuara për këtë vit, Drejtoria e Shërbimeve Publike në Komunën e Podujevës ka planifikuar të vazhdojë me zgjerimin dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve edhe në disa fshatra.