KULTIVUESIT E MJEDRËS TË PAKËNAQUR ME ÇMIMIN E SHITJES

KULTIVUESIT E MJEDRËS TË PAKËNAQUR ME ÇMIMIN E SHITJES

253

Kultivuesit e mjedrës në Podujevë janë të kënaqur me rendimentin sivjet, por ankohen për çmimin e ulët në treg, raporton Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Luljeta Bajrami nga fshati Mirovc i Podujevës, bashkë me familjarë, zgjohen ne orën 5 të mëngjesit për te vjelë mjedrat, raporton RTK.

Ajo thotë se ky është viti i dytë që e kultivon këtë kulturë bujqësore dhe se krahasuar me vitin e kaluar, sivjet është e kënaqur me rendimentet, ndonëse me çmimin që është ne treg nuk është shumë e kënaqur.

Edhe kultivuesi tjetër, Ahmet Zeqiri, është i brengosur për çmimin e ulët prej 1 euro për kilogram. Ai thotë se duhet të rritet çmimi përndryshe sipas tij duhet të heqin dorë nga prodhimi i kësaj kulture.

Në Komunën e Podujevës thonë se kryetari Agim Veliu është takuar me pronarët e pikave grumbulluese, nga të cilët ka kërkuar që të kenë çmim real për mjedrën.

Sipas Avni Fetahut, drejtor për bujqësi në Podujevë, në këtë komunë  janë të mbjellë 1000 hektarë me mjedra, 42 hektarë me dredhëza, 25 hektarë me aronia dhe 12 hektarë me boronicë, raporton RTK.

Fetahu tha se janë 9 pika grumbulluese me kapacitet për deponim 6300 tonë, po aq sa ka kapacitet për prodhim për sivjet.