Loja e UNIMK-ut me të zhdukurit

0

 

Pas 18 vite të qëndrimit dhe sundimit në Kosovë UNMIK-ut tani i ka rënë ndërmend për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Që nga përfundimi i luftës, në vitin 1999,  deri në vitin 2007 Kosova është administruar tërësisht UNMIK-u. Pra, ka qenë përgjegjës për të gjitha institucionet e Kosovës: policinë, gjykatat, prokurorinë, arsimin, shëndetësinë etj.

Me vetë faktin se ishte autoriteti kryesor administrativ, UNMIK-u kishte përgjegjësi edhe për çështjen e personave të zhdukur gjatë periudhës 1998-1999. Këtë kompetencë UNMIK-u e kishte deri pas  shpalljes së  Pavarësisë së Republikës  së Kosovës, kur në Kosovë vjen Misioni për Sundimin e Ligjit – EULEX, i cili mori shumë kompetenca për administrimin e Kosovës në aspektin e sigurisë dhe sundimit të ligjit, ndër to edhe çështjen e të Zhdukurve, kompetencë që e mban edhe sot.

 

Mirëpo, me shpalljen e pavarësisë dhe me ardhjen e EULEX-it nuk u shua misioni i UNMIK-ut, i cili pa asnjë kompetencë vazhdon të qëndrojë në  Republikën e  Kosovës.

 

Dhe shih ironinë, tash kur ky mision nuk ka asnjë kompetencë ekzekutive, ka filluar të interesohet për çështjen e të zhdukurve. Ndërsa, kur kjo çështje ishte kompetencë dhe përgjegjësi ekzekutive në Kosove nuk është interesuar fare për fatin e mijëra të pagjeturve.

 

Prandaj nuk duhet të jesh shumë i mençur për ta kuptuar lojën e UNMIK-ut, sidomos kur të kihet parasysh se në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ambasadorja e Kosovës në SHBA, zonja Vkora Çitaku kërkoi largimin e UNMIK-ut nga Kosova.

 

Është më shumë se absurde që tani kur është pa asnjë kompetencë dhe kur duhet të tërhiqet përfundimisht  nga Kosova, UNMIK ka filluar kinse të punojë për çështjen e të zhdukurve dhe pajtimin shqiptaro-serb, duke hapur zyra të përbashkëta shqiptare dhe serbe.  Krejt kjo mund të jetë një projekt i Serbisë nënë logon e UNMIK-ut, i mbështetur dhe financuar Kombet e Bashkuara.

 

UNMIK shko, loja jote me të pagjeturit ka përfunduar!

 

Latif Mehmeti, kryetar i Shoqatës për të Zhdukur “Përkorë” në Podujevë