PRISHTINA ME AJRIN MË TË NDOTUR NË BOTË

1

Cilësia e ajrit në Kosovë është evidentuar të jetë larg kritereve botërore dhe që tejkalon çdo standard të lejuar.

Se niveli i ndotjes së ajrit në vend është në vlera alarmante, u vërtetua edhe nga monitorimi i fundit i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mbrojtjen e Mjedisit përmes “Indeksit të cilësisë së ajrit.”

Në bazë të këtij indeksi, Kosova, gjegjësisht Prishtina, klasifikohet në kategorinë e parë të ndotjes së ajrit, që ka kaluar normat e lejuara.

Bazuar në matjen e bërë nga Qendra për matjen e cilësisë së ajrit e vendosur nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në orën 18:00, vlera e ndotjes ka arritur në 350 dhe konsiderohet e shumë e pashëndetshme, përcjell Telegrafi.

Ndërsa prej orës 21:00, ndotja ka shkuar deri në 431, çka e bën edhe më tej shqetësuese shëndetin e qytetarëve të Prishtinës.

Sipas ranglistës botërore, Prishtina aktualisht është në vendin e parë në botë me ajrin e ndotur, duke lënë pas vetes edhe Indinë, Pakistanin, Bangladeshin e vende të tjera që zakonisht i prijnë listës së vendeve me ajrin më të ndotur.

Në anën tjetër, Ministria e Mjedisit, institucioni kryesor që duhet të merret me ndotjen e ajrit, është ministria që ka më së shumti zëvendësministra.

Kjo ministri që udhëhiqet nga Albena Reshitaj e AKR-së i ka 6 zëvendësministra.

Është paradoksale që një ministri me kaq zëvendësministra e zyrtarë tjerë, e në Kosovë, respektivisht në Prishtinë ajri të jetë më i ndotur se në Kinë, Indi apo Pakistan.