Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ka thënë se rastet e pretenduara për ngacmime seksuale në këtë universitet përbëjnë “shqetësim të vazhdueshëm”.
Të mërkurën, Lëvizja Feministe Studentore bashkë me disa studente aktiviste po protestojnë me kërkesën për përjashtim të profesorit të denoncuar për ngacmim seksual, Xhevat Krasniqi. Protesta është paralajmëruar se do të zgjasë tetë orë dhe po mbahet para rektoratit të Universitetit të Prishtinës. Protestë ndaj profesorit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës (UP) është mbajtur edhe javën e kaluar. Aty është bërë thirrje që Krasniqi të përjashtohet nga roli i profesorit dhe UP-ja të distancohet. KOHA ka raportuar javë më parë se 27 studente janë ankuar se profesori i Edukimit që ua jep Matematikën në Fakultetit të Mjekësisë, u është drejtuar me sjellje joprofesionale e komente mbi pamjen e tyre fizike. Ani se rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj stafit akademik parasheh që palët të intervistohen brenda pesë ditësh pas denoncimit të një shkeljeje, Këshilli i Etikës nuk i ka kontaktuar personat e përfshirë në rastin e profesorit Xhevat Krasniqi gjatë periudhës së paraparë.
Në një deklaratë publike të mërkurën, UP-ja ka thënë se po i përcjell reagimet me vëmendje të veçantë.
“Rastet e pretenduara përbëjnë një shqetësim të vazhdueshëm për menaxhmentin e UP-së dhe në këtë rast, menaxhmenti vlerëson se adresimi i drejtë dhe meritor i të gjitha rasteve të kësaj natyre paraqet thelbin e parimit të prezumimit të pafajësisë. Në kontekst të reagimeve të shumta publike në drejtim të Këshillit të Etikës, si instancë e pavarur statutare, menaxhmenti i UP-së bën thirrje për respektim të kompetencave dhe pavarësisë së Këshillit të Etikës, në proces të adresimit, shqyrtimit dhe vendimmarrjes meritore për secilin rast. Në të njëjtën kohë, menaxhmenti rikujton faktin se secili pjesëtar i stafit akademik, administrativ dhe punonjës të tjerë të UP-së duhet të udhëhiqet nga prirja, detyrimi dhe domosdoshmëria e pakontestueshme e respektimit të kodit të etikës, sjelljes akademike dhe kontributit për krijimin e një mjedisi të sigurt brenda UP-së, krijimin e perceptimit të tillë publik të tij, si dhe në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në deklaratë.
Menaxhmenti i UP-së ka thënë se çdo pretendim për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ do të përcillet me “vëmendje të shtuar, deri sa të marrë epilog meritor në përputhje të plotë me procedurat dhe rregullat në fuqi, bazuar në faktet dhe provat për secilin rast”.