Banorët e një lagjeje të fshatit Halabak të Podujevës, kurrë nuk kanë pasur qasje në internet dhe as në valë televizive. Ata informohen vetëm nga radioja. Por, izolimi nuk është bërë pengesë për 4 studentë të lagjes, të cilët bëjnë kilometra kur u duhet interneti për t’i kryer obligimet që marrin në fakultet
Isa Retkoceri po përpiqet ta gjejë frekuencën e edicionit të radhës të lajmeve, pasi që nuk ka mjet tjetër informimi, përpos radios.
Ai është mes 30 banorëve të një lagjeje në Halabak të Podujevës, ku mungon interneti, valët për televizion, ndërsa furnizimi me energji elektrike është i dobët.
Retkoceri thotë se mungesa e këtyre shërbimeve bazike e ka lënë lagjen të izoluar dhe pasojat e kësaj po i vuajnë më së shumti të rinjtë.
“I kemi katër studentë. I kanë ushtrimet, edhe ne kurrfarë mundësie nuk kanë me i kry ato pa internet, kurrgjë hiç. As televizori nuk e rrokë, asnjë program hiç”, thotë ai. “Mbesim në errësirë. Kurrgjë hiç s’mund kupton. Kurrfarë lajmi”.
Katër prej të rinjve të lagjes vijojnë studimet.
Një nga studentet tregon se për t’i kryer obligimet që merr në fakultet, i duhet të udhëtojë me kilometra deri në vendbanimin ku ka qasje në internet.
“Gjatë studimeve hasi në shumë vështirësi për shkak të projekteve, edhe të seminareve të ndryshme që kam me i kry. Atëherë, në kohën e sotme interneti është një gjë shumë kryesore, sidomos për neve që jemi duke studiuar. Atëherë unë kur… kam projekte e që kam seminare të ndryshme, mua më duhet me shku te dikush i afërm i imi për me i krye këto projekte”, thotë kjo studente, e cila foli në kushte anonimiteti.
Ajo thotë se në mungesë të internetit dhe televizorit kohën e lirë e kalon vetëm duke lexuar libra.
Lagjja ka rreth 10 familje. Rrjeti elektrik është i vjetruar dhe kjo është arsyeja pse operatorët që ofrojnë shërbime interneti, nuk e kanë shtrirë rrjetin në lagje.
Banorët thonë se janë ankuar disa herë në Komunën e Podujevës, e edhe në Kompaninë për Distribuimin e Energjisë, KEDS, për mungesën e shërbimeve bazike, por deri tani nuk kanë marrë zgjidhje.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, thotë se problemi do të adresohet te KEDS-i.
“Unë mora informacione nga zyrtarë kompetentë, por edhe nga përfaqësuesit e postës këtu në Komunën e Podujevës – problemi atje është për shkak të mungesës së shtyllave të reja për shtrirjen e rrjetit të internetit. Ne do ta adresojmë këtë çështje menjëherë në KEDS, këtu te menaxhmeti i KEDS-it në komunën e Podujevës dhe do të interesohemi për këtë çështje, deri sa të bëhet zgjidhja”, ka thënë Zhitia.
E zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, tha se do të mirëmbahet rrjeti, por nuk premtoi se shpejt mund të vendoset i riu.
“KEDS-i është në dijeni për gjendjen aty. Do të bëhet mirëmbajtja e nevojshme e rrjetit elektrik shpërndarës deri në implementimin e një projekti investiv, i cili paraprakisht duhet të aprovohet nga ZRRE-ja”, ka thënë ai.
Në vitet e fundit, gjysma e familjeve të lagjes janë zhvendosur për shkak të mungesës së infrastrukturës bazë për të jetuar.