Kryetari Veliu dhe Koordinatori nacional për kulturë, rini dhe sport nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi

Kryetari i Komunës së Podujevës Agim Veliu, ka pritur sot në takim Rexhep Hotin – Koordinator nacional për kulturë, rini dhe sport dhe Azem Gurin- zëvendësministër në MASHT, me ç’rast është nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi për avancimin e pozitës së të rinjve në fushat e sportit, kreativitetit kulturor dhe garave në dituri.

Në takimin e sotëm të kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu me Koordinatorin nacional për kulturë, rini dhe sport, Rexhep Hoti dhe me zëvendësministrin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Azem Guri, temë diskutimi ishte përforcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe në interes të përbashkët.

Me qëllim të ofrimit të kushteve për rininë e vendit, në takimin e sotëm, kryetari Veliu dhe koordinatori Hoti nënshkruan Marrëveshje bashkëpunimi në mes të Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Komunës së Podujevës për avancimin e pozitës së të rinjve në fushat e sportit, kreativitetit kulturor dhe garave në dituri.

Marrëveshja e nënshkruar përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve në realizimin e projekteve konkrete në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Republikën e Kosovës.

Kryetari Veliu dhe koordinatori Hoti thanë se kjo marrëveshje bashkëpunimi synon përforcimin e kapaciteteve intelektuale, kulturore e sportive të rinisë kosovare, si dhe promovimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fusha të interesit të përbashkët të të dyja palëve.

Palët nënshkruese të marrëveshjes do të inkurajojnë dhe promovojnë bashkëpunimin në shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen e ndërsjelltë për projektet rreth rinisë, kulturës dhe sportit, aranzhimin e përbashkët të aktiviteteve që kanë për synim grumbullimin e donacioneve ndërkombëtare për projektet që promovojnë kulturën dhe sportin; angazhimin e përbashkët rreth ecurisë dhe mbajtjes së garave sportive, të diturisë dhe kreativitetit kulturor si në nivelin shkollor, komunal dhe atë qendror si dhe ndërhyrjen në infrastrukturën sportive duke ofruar bashkëpunim në zhvillimin e garave.

Në përputhje me kushtet e kësaj marrëveshjeje palët obligohen që të bashkëpunojnë dhe asistojnë njëra tjetrën për implementimin e projekteve të përbashkëta të parapara në këtë marrëveshje.