Rrëfimi i Haki Abazit – çka i tha Kurti kur e eliminoi nga ekipi

Haki Abazi, deputet i LVV-së, që momentalisht vepron si i pavarur, ka folur dje për ngritjen dhe rënien e shpejtë të tij brenda Vetëvendosjes. Abazi në Pressing ka zbuluar bisedat, që, sipas tij, janë bërë me Kurtin dhe arsyetimet që ai ia ka dhënë kur e distancoi Abazin.

Hyrja e Haki Abazit në Lëvizje Vetëvendosje dhe ngritja e tij në postet më të rëndësishme ishte rapide. Edhe rënia e tij ishte e ritmit të njëjtë.

Abazi, që javëve të fundit ka dalë haptas për të shprehur pakënaqësitë e akumuluara ndaj partisë, ka dhënë versionin e tij për ato që kanë ndodhur në Vetëvendosje.

Fillimisht, ai thotë se asnjëherë nuk ka negociuar për pozita me Lëvizjen Vetëvendosje, kur është bërë pjesë e saj.

Abazi thotë se Kurti ka qenë iniciatori i përafrimit të tij, futjes në listën e ngushtë të bashkëpunëtorëve, deri të dhënia e postit të Zëvendëskryeministrit në Qeverinë e parë të udhëhequr nga Kryeministri i tanishëm.

“Unë kam marrë një ftesë nga z. Kurti, që ishte kandidati për Kryeministër në herën e parë. Kam ardhur nga Shqipëria. Jemi takuar dhe më ka treguar konfiguracionin e Qeverisë, ose ministrave të LVV bashkë me LDK-në. Pas krejt diskutimeve, më është ofru të marrë pozitën e zv.kryeministrit. As nuk e kam pritur, as nuk e kam kërkuar”, thotë Abazi.

Deputeti thotë se ftohja e Kurtit me të nuk nisi para zgjedhjeve të 14 shkurtit. Përkundrazi, sipas Abazit, ka vazhduar afërsia mes tij dhe Kryeministrit, atëherë të rrëzuar.

“Natën kur është vendos lista dhe emrat për listën e dytë [për zgjedhjet 2021], z. Kurti ka qenë në shtëpinë time, me disa mysafirë të tjerë” , thotë ai.

Abazi thotë se, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti I, me vetë Kurtin kanë folur që në Qeverinë tjetër, do të hynin me ekipin e njëjtë.

“Në një proces të udhëtimit, jemi ulur dhe kemi diskutuar se pas përfundimit të zgjedhjeve, do të dalim me ekipin e njëjtë”, thotë Abazi.

Dikur, sipas versionit të Abazit, Kurti ia ka dhënë arsyet pse nuk kishte më vend për ish-zëvendëskryeministrin e parë.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Abazi që mbante numrin 19, doli deputeti i LVV-së i zgjedhur me më së paku vota. Ai thotë se Kurti t’ia ketë përdorur këtë si një nga arsyet e mosinkuadrimit në Qeverinë e re.

“Arsyetimet kanë qenë të llojit se nuk ke marrë vota të mjaftueshme. Se ka çështje që janë ngritur nga njerëz brenda se je forcuar shumë shpejt; ke bërë ‘rating’ për punën që ke bërë. Bile, në një moment thuhet shumë qartas se në mënyrë të efektshme janë kryer punët, përfshirë planit për reformën e administratën publike”, thotë Abazi.

Deputeti i LVV-së thotë e ka pranuar arsyetimin që ia ka bërë Kurti, porse ia ka shprehur atij paqartësinë që po merrte afër vetes njerëz që as nuk kishin garuar ndonjëherë në zgjedhje.

“Me shumë sinqeritet e kam marrë këtë arsyetim. E vetmja gjë që më kujtohet shumë qartazi, në diskutimin që e kemi bërë, është se, nëse unë s’kam marrë vota, Besnik Bislimi, nuk ka dalë fare, Artane Rizvanolli nuk ka qenë kurrë pjesë e listës, Rozeta Hajdari nuk ka qenë kurrë pjesë e listës”, tregon Abazi.

Kurti, gjithmonë sipas fjalëve të Abazit, i ka thënë atij se ky është ekipi që ka zgjedhur për të ecur para. Dhe, ish-zv.kryeministri thotë t’i ketë uruar punë të mbarë atij.