11 shkolla të Podujevës mbesin pa ngrohje

Njëmbëdhjetë shkolla të Komunës së Podujevës janë pa ngrohje pasi autoritetet lokale nuk kanë mundur të sigurojnë pelet për to.

Njësoj ishte vonuar edhe blerja e druve, por që tash shkollat që ngrohen me këtë lëndë djegëse janë furnizuar.

“Të gjitha objektet shkollore të cilat ngrohjen e kanë me dru janë të furnizuara me këtë lëndë djegëse, në total janë 46 objekte që ngrohjen e kanë me dru në shkollat e Komunës së Podujevës. Ndërkohë, 11 shkolla të cilat e kanë ngrohjen me pelet, nuk janë furnizuar për shkak që është dashur të rishpallet edhe një herë tenderi, sepse çmimet e ofertuesve kanë qenë të larta”, ka thënë për KOHËN, Fatri Zhitia, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Aktualisht, sipas tij, çështja e furnizimit të shkollave me pelet është në procedura të prokurimit

“Sipas informatave që kemi nga zyra e prokurimit pritet që këto proceduara të përfundojnë deri në fund të kësaj jave dhe pasi të nënshkruhet kontrata menjëherë do të filloi së zbatuari”, ka thënë ai.

KOHA merr vesh se ka shkolla që e kanë shkurtuar orarin e mësimit për shkak të mungesës së ngrohjes. Zyrtarët komunalë nuk janë përgjigjur nëse për shkak të mungesës së ngrohjes dhe uljes së temperaturave mund të ndërpritet mësimi në ato shkolla