Gjyqtarë, deputetë, mjekë, policë e mësimdhënës – këta janë koeficientët e tyre me Ligjin e ri të Pagave

Sot në mbledhjen e 109 të Qeverisë së Kosovës është miratuar Ligji i ri i Pagave në Sektorin Publik, si dhe ai për Zyrtarët Publik.

Projektligji për Pagat ka për qëllim kryesor përcaktimin dhe rregullimin e sistemit të pagave dhe shpërblimeve për të gjithë të punësuarit që përfitojnë pagë nga buxheti i Republikës së Kosovës. Nga kjo kategori e cila mbulohet me këtë Projektligj përjashtohet vetëm Agjencia Kosovare e Inteligjencës, për arsye se ka natyrë tejet specifike të punës.

Projektligji përcakton edhe llogaritjen e pagës. Rrjedhimisht, me këtë Projektligj definohet saktësisht se çka konsiderohet pagë bazë, si kalkulohet dhe mënyra e pagesës e së njëjtës.

Së pari, përcaktohet se pagë bazë është ajo pjesë e pagës që përfitohet për punën e kryer me orar të plotë, në një funksion apo pozitë të caktuar. Së dyti, Projektligji parasheh punën me orar të plotë si punë me kohëzgjatje javore prej 40 orësh. Së treti, kalkulimi i vlerës së pagës bazë, rezulton nga shumëzimi i koeficientit të pagës me vlerën monetare të koeficientit. Së katërti, parashihet që paga të paguhet në baza mujore deri në ditën e fundit të punës të atij muaji. Së pesti, përcaktohet se vlera monetare e koeficientit do të vendoset me ligjin vjetor të buxhetit.

Sipas Ligjit të ri të Pagave, koeficientin më të lartë e mbartë Presidenti i vendit, me 18, kurse vendin e dytë e zë Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me koeficient 17.5, ndërsa pas tij vie Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit me koeficient prej 17.

Sa i përket ministrave, deputetëve e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese ata janë vlerësuar me koeficient 16.4.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme shfuqizoi vendimin e Qeverisë Haradinaj të vitit 2017, duke ua kthyer pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve sikur para rritjes.

Por, Ehat Miftaraj nga KDI po thotë se vendimi për uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshem dhe nuk do të gjejë zbatim.

“Një jurist me njohuri elementare e din se vendimi i Qeverisë per uljen e pagave për gjykatës dhe prokurorë është i kundërligjshem. Ky vendim nuk ka me gjetë zbatim. Nuk mundet mu zbatu nje vendim i kunderligjshem. Më vjen keq per Kryeministrin Kurti për nivelin e njerëzve që e keshillojne në çeshtje te drejtesise. Keta nuk ia dojne te miren Kryeministrit. Te njejtit nuk duhet me vene ne situata te tilla Kryeministrin”, ka thënë Miftaraj.

Me këtë vendim nuk po pajtohet as juristi, Betim Musliu i cili tha se ky vendim është skandaloz dhe shkatërron sistemin e drejtësisë si dhe legalizon korrupsionin.

“Vendimi i fundit i Qeverise Kurti eshte vendim skandaloz qe e shkaterron sistemin e drejtesise – edhe ashtu te lodhte, eshte vendim qe e shkaterron sigurine juridike, eshte vendim qe perfundimisht e legalizon korrupsionin ne sistemin e drejtesise. Eh tash kredite e nje pjese te gjykatesve dhe prokurorve paramendone qysh kane mu pagu?! Tmerr!”, ka shkruar Musliu.

Sa i përket mjekëve, ata specialistë të Mjekësisë familjare, stomatolog specialist, farmacist specialist, farmacist klinik, ekspert i fizikës mjekësore është miratuar të kenë koeficientin 12.

Mjek i Përgjithshën, farmacist, stomatolog janë vlerësuar me koeficient 7.4.

Me koeficient 7.2 është propozuar të jetë psikologu klinik, ndërsa koeficient 6 është propozuar të kenë fizioterapeuti, logopedi, radiologji diagnostike, mjekësi sanitare, ata të nivelit tretësor (Bachelor), kurse me 5.5 janë vlerësuar ata të nivelit sekond (Bachelor), ndërsa ata parësor (Bachelor) është propozuar të kenë koeficient 5.4, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Laborant, mami, infermier, teknik mjekësor dhe teknik farmacist është propozuar që ata të nivelit tretësor (Shkollë të Mesme) të kenë koeficient 5.6, ndërsa ata të nivelit dytësor (Shkolla të Mesme) me koeficient 5.5, kurse ata të nivelit parësor (Shkollë të Mesme) janë vlerësuar me koeficient 5.4.

Në dokumetin e siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net parashihen edhe koeficientët e Policisë së Kosovës të miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Një Polic i Lartë është vlerësuar me koeficient 5.1, Polici me 4.4, ndërsa me koeficient 4.2 është vlerësuar një Polic i Ri, ndërsa Kadet Policor me koeficient 2.

Gjithashtu është propozuar që Drejtori i Përgjithshëm të ketë koeficient 14.5, kurse Koloneli me koeficient 10.2, Majori me 8.2, Kapiteni me 7.4 dhe Togeri me 7, e Rreshteri në Policinë e Kosovës është vlerësuar me koeficient 5.3.

Për mësimdhënësit në shkollat e mesme të lartë është miratuar vendimi që të vlerësohen me koeficient prej 5.8, kurse për mësimdhënësit në shkollat fillore dhe ato të nivelit të ulët me koeficient 5.6.
Me koeficient 5.2 janë vlerësuar mësimdhënësit në institucionet parashkollore.
Sa i përket profesorëve, ata të rregullt të kenë koeficient 12.4, ata të asocuar me koeficient 11.4, kurse me 10.4 janë vlerësuar profesorët asistent.
Pas miratimit në Qeverinë e Kosovës, ky Projektligj i Pagave pritet që së shpejti të dërgohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.