Drejtori i Kadastrit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, ka bërë të ditur se është votuar pezullimi/suspendimi i taksës në transaksion të pronës së paluajtshme për të gjithë personat fizik e juridik në komunën e Prishtinës.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që iniciativa e Drejtorisë së Kadastrit, bashkë me atë të Financave dhe grupit të asamblistëve të LDK-së u votua sot nga të gjithë padallim, me 43 vota PËR dhe 2 abstenime – për çka dua t’iu falenderoj edhe publikisht.
Ky ndryshim e lehtësim i madh për qytetarët do të afektojë në mundësinë e regjistrimit të pronës, gjegjësisht bartjes së saj pa ngarkesa/taksime të dyfishta, duke larguar kështu një barrierë të theksuar financiare.
Thënë më thjesht, kjo nënkupton shumë më pak shpenzime, thjeshtim e ekonomizim procedure dhe vënie në qarkullim juridik të paluajtshmërive.” ka shkruar Lushaku në një njoftim në Facebook.