Listës së vlerave të trashëgimisë natyrore të Kosovës i shtohen edhe “Trungu i Qarrit (Quercus cerris )” në Lupçë të Poshtëm të Podujevës si Monument i Natyrës, me vlera botanike.
Gjatë punës në terren, ekipet e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës në bashkëpunim me zyrtarët për mjedis të Komunës së Podujevës kanë evidentuar si monument të rëndësishëm për mbrojtje: “Trungun e Qarrit (Quercus cerris )” në Lupçë të Poshtëm të Podujevës.
“Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës pas përgatitjes së arsyeshmërisë profesionale të njëjtën e ka përcjellë për miratim në Kuvendin Komunal të Podujevës i cili në mbledhjen e datës 07.11.2022, ka marr vendim për mbrojtjen e “Trungu i Qarrit (Quercus cerris )” në Lupçë të Poshtëm të Podujevës si Monument i Natyrës i karakterit botanik. Gjithashtu është marrë në mbrojtje edhe sipërfaqe prej 5 ari në të cilën ndodhet monumenti”, thuhet në njoftim.
Trungu gjendet në varrezat e vjetra në lagjen Pireva në Lupçë të Poshtëm dhe karakterizohet me vlera të veçanta botanike. /Telegrafi/