Të hënën, më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit në sheshin e Prishtinës është vendosur skulptura e Faik Rexhepit, njeriu i cili qëndroi ulur në protestën e muajit gusht të vitit 1990, kur shqiptarët e mbledhur pranë hotelit Grand në Prishtinë prisnin me padurim delegacionin gjashtë-anëtarësh amerikan, të kryesuar nga senatori Bob Dole.
Ishte gushti i vitit 1990, kur shqiptarët e mbledhur pranë hotelit Grand në Prishtinë, prisnin me padurim delegacionin gjashtë-anëtarësh amerikan, të kryesuar nga Senatori Bob Dole.
Tubimi i tyre, për të protestuar për të drejtat që u takojnë, u shua me sulmin brutal të Policisë serbe. Në atë turmë ishte një burrë sypatrembur. Teksa të gjithë iknin, ai u ulë këmbëkryq. Ky imazh, i fiksuar nga fotografi Hazir Reka, do të publikohet në shumë gazeta dhe televizione botërore.
Kush është ky burrë në fotografinë ikonike të Kosovës?
Telegrafi do të ju risjellë intervistën e plotë të Faik Rexhepit, e bërë në vitin 2015 nga gazetarja Elfije Boletini.
Rrëfimi për fotografinë ikonike që duhet të ngrihet në monument: Burri që s’luajti vendit! (Foto/Video)
Ishte gushti i vitit 1990, kur shqiptarët e mbledhur pranë hotelit Grand në Prishtinë, prisnin me padurim delegacionin gjashtë-anëtarësh amerikan, të kryesuar nga Senatori Bob Dole. Tubimi i tyre, për të protestuar për të drejtat që u takojnë, u shua me sulmin brutal të Policisë serbe. Në atë turmë ishte një burrë sypatrembur. Teksa të gjithë iknin, ai u ulë këmbëkryq. Ky imazh, i fiksuar nga fotografi Hazir Reka, do të publikohet në shumë gazeta dhe televizione botërore. Kush është ky burrë në fotografinë ikonike të Kosovës?
Ka lindur në Preshevë, por me vite të tëra jeton në Prishtinë. Më 1974 punësohet në KEK. Në vitin 1981 merr pjesë në demonstratat e nisura nga studentët, e më vonë dërgohet për të punuar në Drenicë. Kjo është biografia e shkurtë e Faik Rexhepit, burrit fjalëpak e me vepra të mëdha. Sot, i shtyrë paksa në moshë, por me kujtesë të fortë, flet për Telegrafin për kohën kur burrëria e tij fiksohet në përjetësi.
Në vitin 1990 Rexhepi ishte inxhinier i kimisë në “Ferronikel” të Drenasit. Në këtë gjigant atë vit ishin instaluar masat e dhunshme nga Serbia. Ndaj, si shumë kolegë të tjerë, nuk mundte të rrinte i qetë para sfidave historike: terrorit që në të gjitha sferat e ushtronte Serbia! Kështu, me të dëgjuar për vizitën e paralajmëruar të delegacionit amerikan në Prishtinë, Rexhepi me shokët vendosi të vinte në Prishtinë
Isha edhe nxitës i tyre, që të merrnin pjesë në protestat që u zhvillonin në atë kohë. Sepse, e vetmja mënyrë atëherë për ta fituar lirinë që e kemi sot, kanë qenë demonstratat”, thoshte ai.
Rrugës për në Prishtinë kishte vërejtur dy lloj policësh serbë. Të parët ishin vendosur rrugës, në udhëkryqe e në trotuare, kurse të tjerët – ajo që quhej Polici speciale – ishin fshehur prapa ndërtesave.
“Në qendër të Prishtinës, para hotelit Grand, kemi arritur diku kah ora 11:00 e ditës. Dielli po nxente. Ishim të emocionuar dhe me padurim prisnim diplomatët amerikanë. Ishim tubuar me flamuj e pankarta, për të dëshmuar shkeljen elementare të të drejtave të njeriut dhe robërimin e Kosovës. Policia ishte e armatosur deri në dhëmbë dhe vetëm pritej momenti kur do të intervenonte”, kujtonte ato momente bashkëbiseduesi ynë.
Kah ora 12:00, Policia nisi të futej nëpër masën e njerëzve. Ata kërkojnë që protestuesit të tërhiqen nga Grandi. Madje, kishte kërkesa që të shpërndahen duke thënë se “amerikanët do të vonohen pakëz”.
”U tërhoqëm nja 50-70 metra nga hoteli dhe ashtu po qëndronim, por duke mos lëvizur më asnjë metër prapa. Situata dukej se do të eksplodonte, sepse nervozizmi te policët serbë ishte i madh. Ashtu, qysh po rrinim, nja 30 minuta më vonë, pra kah ora 12:40 minuta, Policia nisi intervenimin kundër masës, duke kërkuar shpërndarjen e menjëhershme. Policia e tërbuar përdorte shkopinjtë e gomës dhe gazin lotsjellës”.
Rexhepi atëherë u thotë disa qytetarëve që të ulen në tokë, sepse kështu do të tregojnë se janë paqedashës, se nuk sulmojnë, porse po protestojnë kundër dhunës.
U ula për të treguar se ky vend është i joni e se s’kemi ku të shkojmë. Prandaj, s’kam lëvizur nga aty. Mbeta vetëm, e krejt ikën. Kur kanë ardhur Policia serbe, më gjuajtën sa kanë mundur me shkopinj gome. Më kanë kapur për krahu që të më dërgonin në veturat e Policisë. Por, për fatin tim, në atë moment vjen një femër, basketbolliste e Ferizajt, që më kapi për krahu edhe iu drejtua policëve në gjuhën serbe: ‘Zoti ju marroftë, lëshojeni njeriun, pse po e maltretoni’”!
Sulmi ishte barbar. Pas 20 minutave masa u tërhoq. Serbët që e arrestuan Rexhepin, u hutuan nga reagimi i gruas shqiptare, por edhe nga kameramanët dhe fotoreporterët e shumtë aty. Ai futet në Grand. Në ato çaste nuk mundte të orientohej. Veten e gjeti në katin e gjashtë të hotelit, ku iu afrua një gazetare kroate që i kërkoi intervistë. Edhe pse situata ishte alarmante, ai pranon. Por, nuk kaluan as dy-tre minuta e Policia speciale futet në hotel, duke sulmuar kë e zinte – madje edhe gazetarë
Në atë kaos Rexhepi ia doli të dilte. Me disa shokë të tjerë, strehohet në banesën gruas trime që reagoi kundër Policisë serbe.
“Aty kemi qëndruar derisa ka rënë terri. Burri i saj insistonte që të mos dalim, sepse situata ishte ende e rrezikshme. Qyteti dukej shkretë. Nuk kishte asnjë lëvizje të qytetarëve, përveç patrullave të Policisë”.
Rexhepi në shtëpi shkon nëpër terr e i dërrmuar. Aty sheh plagët që kishte nga goditjet e policëve serbë.
Bob Dole, me të arritur në Prishtinë, ishte informuar për atë që kishte ndodhur në qendër të qytetit. Për këtë madje ai kishte reaguar publikisht. Ndërsa, fotografia e Rexhepit këmbëkryq, e bërë nga Hazir Reka, do të përshkojë botën.
Kjo fotografi u botua edhe në javoren “Zëri”, ku një grup të rinjsh – Blerim Shala, Hazir Reka e Halil Matoshi – po e shpinin gazetarinë shqiptare në një stad tjetër. “Zëri” ishte mediumi që theu censurën dhe e ngriti profesionalizmin në media, për çka emrat e sipërpërmendur ishin shpesh në shënjestër të organeve serbe.
Ky është personazhi – simbol i artit të Maestro Rekës. Reka i ka parë agresorët dhe viktimat dhe i ka ngurtësuar në kohë dhe hapësirë. Epo, në bazë të tablos së maestro Rekës, do të duhej ngrehur ky monument edhe në bronz, si dëshmi e një kohe që shumëkush u zmbraps e pak mbetën këtu që të thonë: s’luaj vendit!”, thoshte Matoshi.
Në vitin 1992, fotografi i njohur ka qenë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke biseduar me bashkëpunëtorin e Senatorit Dole, ai ia tregon një seri të fotografive të ditës kur delegacioni amerikan e kishte vizituar Kosovën më 1990.
“Bashkëpunëtori i tij më tha se në momentin e duhur do t’ia tregojmë. Ashtu veproi. Dole e mori fotografinë dhe tha: ‘Kjo e ka vendin tek muri im këtu’”.
Që nga viti 2007, Rexhepi është i pensionuar. Sot ai ka një mesazh për të gjithë: “Askush nuk të mëshiron, nëse nuk je vet këmbëngulës. Me punë arrihet gjithçka. Edhe kombi e edhe shteti varen prej punës. Kjo është ajo që na duhet sot”. /Telegrafi/