Pronari i një marketi në Podujevë përfundon në pranga, dyshohet se rrahu një të mitur

Pronarin e një marketi në fshatin Lluzhan të Podujevës gjatë ditës së djeshme e ka zënë sherri me Policinë. Ai u denoncua për sulm ndaj një të mituri, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një 14-vjeçar i shoqëruar nga babai i tij ka denoncuar në Polici të dyshuarin, për të cilin ka deklaruar se e ka sulmuar fizikisht.

Bazuar në dëshminë e tij, kjo ka ndodhur pasi viktima bashkë me shokët e tij kishin shkuar në dyqanin e të dyshuarit, e ku më pas ai e ka sulmuar të miturin duke e goditur me shuplakë dhe shqelm.

Si rezultat i denoncimit, 54-vjeçari është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj të miturit.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Sulm’.

/GazetaSinjali/