Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët marrin vetura me qira dhe shkelin marrëveshjet që bëjnë me bizneset për shfrytëzimin e tyre. Shpesh ato automjete nuk kthehen në kohë, shiten, ose ‘zhduken’, çka i detyron pronarët e kompanive të kërkojnë ndihmë nga Policia, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe në një ‘Rent a Car’ në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Një 27-vjeçar dyshohet se kishte marrë me qira një Audi A6, që kap vlerën e rreth 55 mijë eurove, por më pas nuk e ka kthyer në kohë, siç ishin marrë vesh.
Përballë kësaj situate, pronari i kompanisë është detyruar që të denoncojë rastin në Polici, ku ka deklaruar se i dyshuari ishte i detyruar që veturën ta kthej gjatë ditës së djeshme, por një gjë të tillë nuk e ka bërë.
Pas zhvillimit të hetimeve për zbulimin e lokacionit, ka rezultuar se automjeti gjendet në Gjermani, ku i dyshuari nuk ka pasur të drejtë ta dërgojë.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, teksa me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Shpërdorim i pasurisë së huaj’.