Lajçak javën e ardhshme vjen në Kosovë

Emisari special i dialogut Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak e viziton Kosovën.

Këtë e pranoi vet në një intervistë dhënë Kanal10. Sipas tij, kjo do të bëhet për t’u siguruar që ta shfrytëzojnë momentumin aktual dhe të diskutojnë hapat e ardhshëm të normalizimit.

“Pra, për momentin jemi pozitiv dhe mendojmë se realisht nuk duhet të përballemi me një krizë tjetër në terren por duhet të fokusohemi në normalizim të marrëdhënieve. Për t’u siguruar që po e shfrytëzojmë këtë momentum, po planifikoj që javën tjetër të vizitoj Prishtinën dhe Beogradin, për të takuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq për të diskutuar hapat e ardhshëm të normalizimit bazuar në dokumentin që unë e kam paraqitur në muajin shtator, si dhe në komentet që kemi marrë nga Prishtina dhe Beogradi javëve të fundit”, tha fillimisht diplomati sllovak.

Veç kësaj, ai ka thënë se në këto takime do të vendoset për takimin e ardhshëm, që do të jetë i nivelit të lartë.

“Dhe tani po planifikoj të vij javën tjetër për të vazhduar diskutimin tonë bazuar në këtë propozim mbi këto komente dhe për të folur për hapat e ardhshëm dhe më pas të përgatitet takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq i cili do t’i kushtohet plotësisht këtij propozimi dhe procesit të normalizimit. Dhe ne po diskutojmë edhe datat e mundshme të takimit të ardhshëm”, përfundoi ai.