Pas Vuçiqit, edhe Lista Serbe kërcënon me largim nga institucionet në jug të Kosovës

Disa ditë pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi në mënyrë teatrale kërcënoi duke thënë se serbët janë afër vendimit për të lënë të gjitha institucionet në Kosovë, këtë e ka përsëritur edhe kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.

Ai ka thënë se ekziston mundësia që edhe serbët në jug të largohen nga institucionet e Kosovës, duke thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i interpreton ligjet në një mënyrë që i përshtatet atij dhe se sipas tij në Kosovë nuk respektohen ligjet aktuale lidhur me të drejtat e serbëve dhe komuniteteve tjera joshumicë.

Jevtiq tha për Tanjug se situata në Kosovë, që nga ardhja e Kurtit në pushtet, po vështirësohet çdo ditë e më shumë për sa i përket jetës dhe pozitës së serbëve në atë zonë.

Sipas tij gjithçka që ka ndodhur së fundmi është dëshmi se komuniteti ndërkombëtar nuk po e bën punën e tij ashtu siç duhet dhe me synimin, para së gjithash, qetësimin e tensioneve dhe tejkalimin e gjithë situatës.

/GazetaSinjali/