Misioni i OSBE-së në Kosovë ka dënuar ashpër sulmet në veri ditëve të fundit.
OSBE-ja ka thënë se KQZ-ja e ka demonstruar se i ka kapacitetet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve, duke u mbështetur edhe në institucionet e tjera të Kosovës për të ofruar sigurinë.
Në një përgjigje për KOHËN ka shtuar se që zgjedhjet të jenë të suksesshme, nevojitet pjesëmarrje e gjerë.
Misioni i OSBE-së në Kosovë dënon ashpër veprimet e dhunës dhe frikësimit kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Zgjedhjet e suksesshme kërkojnë pjesëmarrje të gjerë dhe besim publik në mënyrë që të arrihet një rezultat i besueshëm i pranueshëm për të gjithë. KQZ-ja ka demonstruar se ka kapacitetet teknike për të kryer zgjedhjet në përputhje me standardet ndërkombëtare. Për këtë, KQZ mbështetet në mbështetjen e institucioneve të tjera të Kosovës për të vënë në vend të gjitha elementet, përfshirë çështjet e sigurisë për procesin zgjedhor, dhe një ambient të sigurt për të gjithë të përfshirit në terren”, thuhet në përgjigje.
Shkrepje armësh dhe shpërthime ishin shënuar dy ditë më parë në veri kur KQZ-ja kishte tentuar t’i hapë zyrat e Komisioneve Komunale Zgjedhore. Ndërkohë, ishte raportuar se të sulmuar ishin edhe policët.
Zgjedhjet për kryetarë komunash në veri janë shpallur pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet qendrore e lokale. Presidentja Vjosa Osmani e ka shpallur 18 dhjetorin datë të zgjedhjeve.
Situata në veri është përkeqësuar, prej kur serbët braktisën institucionet në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë për t’i konvertuar në RKS targat ilegale të lëshuara nga Serbia. Ndonëse një marrëveshje për këtë është mbërritur, serbët refuzojnë funksionalizimin e institucioneve
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara