Paralajmërohet rritja e çmimit edhe për grumbullimin e bërllokut

Asociacioni i Kompanive Publike për Menaxhim të Mbeturinave, “PAMKOS”, ka vlerësuar nevojën e rritjes së çmimit për grumbullimin e mbeturinave në nivel vendi.

“PAMKOS” ka thënë se referuar situatës së ngritjes së çmimeve dhe sipas vlerësimeve financiare në ndërmarrjet publike të shërbimit të mbeturinave, “kompanitë në fjalë po kalojnë situatë të rëndë financiare duke marrë parasysh rritjen e përgjithshme të çmimeve në të gjithë sektorët dhe respektivisht shpenzimet operative si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve djegëse, si edhe rritjen e tarifës së deponimit të mbeturinave sipas vendimit të Ministrisë së Ekonomisë më dt. 02.12.2022 për rritjen e tarifës së deponimit të mbeturinave në vlerë rreth 37 % mbi tarifën aktuale për vitin 2023 (ose 2 euro në ton për mbeturinë) dhe me rritje progresive për secilin vit pasues sipas njoftimit prej qeverisë”.

Ata thonë se ngritja e çmimeve dhe tarifave që parashihen të aplikohen për deponimin e mbeturinave ndikojnë drejtpërsëdrejti në qëndrueshmërinë financiare të kompanive publike të mbeturinave si dhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara për qytetarë.

“Njëherësh, duke marrë parasysh vendimin e Ministrisë së Ekonomisë për rritjen e tarifës së deponimit të mbeturinave dhe rritjen e çmimeve për lëndë djegëse dhe në kategori të caktuara, kjo situatë i pozicionon të gjitha ndërmarrjet publike të mbeturinave në nivel vendi në vështirësi financiare që nënkupton kufizimin e plotë të ndërmarrjes për të realizuar operim të sigurt në bartje të mbeturinave, investime në ndërmarrje, mirëmbajtje efektive të aseteve operative të ndërmarrjes si dhe rrezikon punën e të gjithë punëtorëve që punojnë në këto ndërmarrje”, thuhet në njoftimin e tyre.

“PAMKOS” theksoi se një tjetër problem është edhe akumulimi i borxheve të shumta që qytetarët kanë ndaj kompanive rajonale të mbeturinave. Kjo, sipas tyre, po i bënë kompanitë të përballen me vështirësi financiare.

“Si asociacion i kompanive publike për menaxhimin e mbeturinave, i bëhet thirrje komunave të Kosovës, që të përkrahen financiarisht kompanitë e grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave si dhe të ndryshojnë tarifat e shërbimit të mbeturinave”, përfundon njoftimi i tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.