Qindra serbë kanë protestuar në Beograd të hënën në mbrëmje, në përkrahje të serbëve të Kosovës, pas tensioneve në veri.
Me brohoritjet kundër pavarësisë së Kosovës, protestuesit kanë “djegur flamurin e Kosovës”.
“Kosova është zemra e Serbisë” dhe “s’ka ndarje”, kanë brohoritur ata.
Qëkur zyrtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u përpoqën të hyjnë në objektet e tyre në katër komunat në veri të Kosovës gjatë javës së kaluar, për t’i organizuar zgjedhjet e parapara për këtë fundjavë (e që u shtynë), në veri ka pasur sulme ndaj Policisë dhe zyrtarëve të KQZ-së. Shok-bomba e madje edhe sulme me armë kanë përcjellë këto ditë veriun. Një polic është plagosur si pasojë e të shtënave në Zveçan.
Një ish-polic serb i Kosovës është arrestuar për këto sulme. Serbët lokalë në shenjë proteste kanë bllokuar rrugët në drejtim të pikave kufitare Jarinjë e Bërnjak, që janë mbyllur përkohësisht. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania kanë reaguar pas bllokimit të rrugëve duke kërkuar nga Serbia t’i heqë barrikadat.