Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se java e parë e këtij viti, ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin e Kosovës.
Ai ka përmendur heqjen e regjimit të vizave, largimin e targave ilegale të Serbisë nga Kosova e njohjen e atyre RKS nga Serbia, si dhe vendimin e Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës.
Për këto Kurti ka thënë se janë rezultat i një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve të Kosovës.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar të gjitha kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit, partnerët ndërkombëtar, por në veçanti qytetarët “që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë”.
POSTIMI I PLOTË:
Java e parë e vitit të ri ka qenë javë e fillimeve të reja për qytetarët dhe shtetin tonë. Për herë të parë, mund të udhëtojmë në zonën shengen pa viza. Targave ilegale të Serbisë u erdhi fundi 24 vjet pas çlirimit, e targat RKS u njohën nga Serbia 15 vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Filloi regjistrimi i energjisë elektrike në katër komunat në veri të vendit, pas më shumë se dy dekadave. Ndërkaq në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë, Spanja iu bashkua shteteve të Bashkimit Evropian që e njohin pasaportën e Kosovës.
Fillimet që po i shënojmë e festojmë tani, janë rezultate të një pune të gjatë e vendosmërie të madhe të institucioneve tona që vazhdon edhe më tej. Falënderoj të gjithë kabinetet politike dhe punonjësit e shtetit dhe qeverisë për kontributin e tyre, dhe partnerët tanë ndërkombëtar për rolin që kanë luajtur. Por më së shumti qytetarët e vendit tonë që na besuan dje dhe që na mbështesin sot e çdo ditë.